Nga Gladiola Busulla
3 dhjetor 2013- Rreth njëqind vjet më parë me një udhëtar filloi të përhapet në botë lajmi i ekzistencës së Korvatunturit dhe banorëve të tij. Babagjyshi i festave të fundvitit (ose i Krishtlindjeve) dëshironte të mbronte paqen në vendin e tij të fshehtë dhe gjeti një mënyrë të shkëlqyer që u lejonte të gjithë miqve të tij ta vizitonin. Pesëdhjetë vjet më parë, Babagjyshi filloi të vizitojë rregullisht Rrethin Arktik Polar, pranë qytetit të Rovaniemit. Rovianemi gjendet në Laponia, fshati më verior i Finlandës.
Qendra e Krishtlindjeve në Lapland, Fshati i Santa Claus në Rrethin Arktik përbën vendin më të vizituar gjatë Krishtlindjeve në vendet nordike. Falë këtij suksesi, numri i vizitorëve është dyfishuar. Në veçanti, numri i vizitorëve ndërkombëtarë është katërfishuar edhe në pak vite, ka arritur shifrën prej gjysmë milioni njerëz.Kasollja Roosevelt, pra Kasollja e Rrethit Arktik është një ekspozitë mbi historinë e turizmit në Rrethin Arktik. Pas luftës, Rovaniemi dhe Laplandi ishin të parët që morën ndihma dhe u mbështetën nga UNRRA, paraardhëse e organizatës humanitare UNICEF-it.
Krijimi i kasolles së Rrethit Arktik dhe shërbimeve turistike është e lidhur, edhe me ndihmën e dhënë nga UNICEF-i.
Eleanor Roosevelt, e mirënjohur si '"shpirti" i UNRRA-së, bëri një vizitë të papritur në Rovaniemi në vitin 1950. Për të kompletuar ceremoninë përshëndetëse u ndërtua kasollja e Rrethit Arktik, vetëm brenda dy javëve. Kur gruaja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, më se e njohur për përpjekjet e saj humanitare, shkoi të vizitonte befasisht Rovaniemin në vitin 1950, për të krijuar rindërtimin postbelik(të pastluftës), pikërisht të Laplandit dhe Rovaniemit, Uuno Hannula, prefekti i kohës, u gjend në një situatë jo të lehtë dhe i duhej domosdoshmërisht, një program tejet i veçantë, në nder të këtij eventi.
Prefekti Hannula u ndihmua nga Kryetari i Bashkisë i kohës Lauri Kaijalainen, i cili me ndihmën e stafit të tij, mori si dhuratë nga Profesor Eemeli Karine, një pjesë të tokës së “Rrugës kombëtare nr. 4” në veri, për të ndërtuar një kasolle për mysafirët. Për këtë arsye u vendos që ceremonia e pritjes të mbahej në veri të Rrethit Arktik. Ideja u frymëzua nga fakti se njëzet vjet më parë, Kolonel J. Oiva Ëillamo kishte ngritur një shtyllë në të njëjtën zone, ku turistët ndalonin dhe shkrepnin fotografi.
Tashmë kishte mbetur vetëm një javë kohë për ndërtimin e Kasolles së Rrethit Arktik. Ajo u projektua me nxitimin e një nate nga arkitekti Ferdinand Salokangas dhe u ndërtua nga stafi me përvojë në ndërtimin e shtëpive të drurit, i pylltarit dhe konsulentit Jarl Sundquist, duke transportuar trungje nga lumi Ounasjoki. Sipas udhëzimeve, ata përdorën aq shumë trungje sa që "në kasolle kishte vend për një autobus të madh plot me njerëz." Njerëzit punonin aq fort e aq shpejt, dhe kur më në fund u montua dera e jashtme e kasolles, aeroplani i zonjës Roosevelt zbriti në aeroport.
E diel, 11 maj, 1950; kasollja më në fund ishte gati për të mirëpritur të ftuarën e rëndësishme. Në ceremoninë e pritjes morën pjesë shumë banorë të Rovaniemit, të cilat më vonë u mësuan me të ftuarit e shumtë që vinin nga larg. Ngjarja ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme për turizmin e zonës dhe kjo u vu re që në impaktet e para. Vizitorë të ndryshëm ndalonin për të pirë një kafe, për të blerë suvenire dhe dërgonin përshëndetje e urime në shtëpitë e tyre, me kartolinat vendase që mbanin vulën e veçantë të Rrethit Polar Arktik.Pikërisht pesëmbëdhjetë vjet pas ceremonisë së parë, në fillim të qershorit 1965 u përurua kasollja e re e projektuar nga Lempi Purdy. Në sajë të madhësisë më optimale dhe të pajisjeve të perfeksionuara, ajo ishte në gjendje të akomodonte më së miri, numrin në rritje të vizitorëve. Është shënuar se rreth 90.000 turistë në vit vizitojnë kasollen e Rrethit Arktik, gjatë pushimeve të tyre në Lapland. Shumë grupe rendin të marrin pjesë në ceremoninë e paharrueshme të kalimit të Rrethit Arktik.
Ky kufi magjik midis përrallës dhe realitetit u vizitua nga shumë personalitete botërore të kohës në të cilin spikati, duke filluar që nga ish-liderët komunistë: Breshniev, Tito e për të vazhduar me ish-presidentin amerikan Johnson, ish-kryeministrin italian Aldo Moro dhe shumë të tjerë.
Fshati magjepsës i Santa Claus-it ndodhet 8 kilometra në veri të Rovaniemit.Siç e përmendëm më lart, i lindur në vitin 1950 , mund të vizitohet gjatë gjithë vitit . Atmosfera është magjike. Aty ka gjithmonë Krishtlindje. Brenda në fshatin e Santa Claus (Babagjyshit) pozicionohet dhe zyra e tij . Mund të hysh në një derë ku shënohet " Santa është këtu “. Më pas kalohet përmes një tuneli, të stolisur me dekorin e Krishtlindjeve, i tëri i ndriçuar dhe në fund të tij pret nje elf. Ai hap derën e Zyrës së Santa Claus, i cili përshëndet me një buzëqeshje. E kush nuk ndihet sërish fëmijë në një çast të tillë?!
Pas fotos së paharrueshme përshëndet Babagjyshin dhe ecën drejt zbulimit të mëtejshëm të fshatit . Më pas mund të shkruash kartolina dhe urime. Elfët do t’i shpërndajnë tek të dashurit e tu, kudo në botë.Pas një shëtitjeje të gjatë në dyqane të ndryshme që ofrojnë shumë ide e dhurata interesante për Krishtlindje, nuk mund të mungojë një fotografi në pikën ku fillon Rrethi Arktik, i cili kufizohet me një vijë të bardhë “Arctic Circle 66 ° 32'35 ".
Në fund të takimit të veçantë me Babagjyshin, elfët e suveniret e Krishtlindjeve është koha për një tjetër moment të mrekullueshëm: vizitën në Fermën e Drerëve , ku mund të përkëdhelësh dhe të ushqesh drerët e Santa Claus.Por ende s’mund të largohesh, sepse duhet të bësh dhe pak shopping për Krishtlindje, të shohësh galerinë me skulptura akulli, slitën që pret të ngarkohet me dhurata. laboratorin sekret të elfëve, qentë e bukur husky dhe të shijosh kek me xhenxhefil. Në Santa Park është gjithashtu e mundur të asistosh në spektakle që flasin shumë për traditat e Laplandit, ushqimin vendas dhe pijet tipike.
P.S. për të gjithë fëmijët dhe të rriturit që e besojnë: mund t’i dërgoni letra dhe kartolina Babagjyshit në adresën e poshtëshënuar: Joulupukki, Joulupukin Pääposti, FI-96930 Napapiiri, Finlandia.
Provojeni ! Mbase dëshirat tuaja realizohen.





