Në këto ditë të nxehta gushti, kur numri i pushuesve ka arritur pikun në Durrës e për pasojë është gjallëruar edhe jeta e natës, Shëtitorja “Taulantia”, vendi që mbledh në orët e pasdites dhe natës me mijëra qytetarë durrsakë, vuan pasojat e derdhjes në det të ujërave të zeza.
Shkarkimet bën kryesisht në det rreth orës 20.00 deri në 23.00 të mbrëmjes.
Në këtë orar, të gjithë njerëzit janë në shëtitore duke shëtitur, pirë një kafe apo darkuar dhe era e rëndë që përhapet në të gjithë zonën përbën një problem shumë shqetësues.
Shëtitorja “Taulantia” është një nga zonat më të preferuara për banorët e Durrësit, si dhe për vizitorët. Aty zhvillojnë aktivitetin e tyre shumë bare dhe restorante luksoze, të frekuentuara në masë të madhe nga qytetarët.
Ajo është gjithashtu një shesh ku durrsaket bëjnë xhiron e tyre karakteristike në të gjitha orët e ditës, por njëkohësisht shërben edhe si vitrinë e turizmit durrsak.
Shumë pranë qytetarëve dhe pushuesve që e frekuentojnë atë duken tubacionet që derdhin ujërat e zeza ne det. Pamjet që sjell DurrësLajm tregojnë më së miri ndotjen e madhe mjedisore të Shëtitores.
Aroma e lëshuar nga ujërat e zeza që derdhen në det bashkohet me atë të leshterikut në kalbëzim duke krijuar një situatë të pakëndshme për njerëzit që e kanë shndërruar atë në vendin më të vizituar e populluar në Durrës.
K.H.