Shqipëria sot ndodhet nën rrezik serioz për shkak të korrupsionit qeveritar dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, teksa Evropa ka pezulluar fondet e dixhitalizimit dhe SHBA-të lëvizjen e lirshme me vizat.

Kështu u shpreh sot në një deklaratë për mediat deputeti demokrat Klevis Balliu, duke renditur edhe skandalet më të fundit të pushtetit.

“Jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë masa kufizuese, por edhe Bashkimi Europian, si pasojë e skandalit të fundit tek AKSHI, ku u faktua ngritja e një sistemi narko-terrorist nën drejtimin e Edi Ramës. Një sistem ku kartelet kontrollojnë segmente të sigurisë kombëtare dhe marrin peng biznesmenë që nuk pranojnë të tërhiqen nga tenderat publikë. Për këtë arsye, komuniteti europian vendosi të pezullojë fondet për dixhitalizimin, pasi tashmë është e provuar se Shqipëria ka një qeveri që vjedh fondet publike”, tha ai mes të tjerash.

Ligjvënësi i PD evidentoi edhe faktin se dosja e AKSHI-t tregoi qartë se vendi ëhstë kapur nga grupet narko-terroriste dhe akuzoi drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama si të implikuar.

“AKSHI është pasqyra më e qartë e sistemit narko-terrorist të ngritur nga Rama, ku trafikantët dhe grupet kriminale kontrollojnë institucionet shtetërore. Sot, Edi Rama është i vetmi kryeministër në botë që ka ngritur një post të posaçëm për të kontrolluar gjithçka: koordinatorin e krimit të organizuar brenda qeverisë”, theksoi Balliu.

Në fund, teksa u bëri thirrje shqiptarëve që më 24 janar të mblidhen në protestën kombëtare të opozitës para Kryeministrisë, ai kujtoi se në qeverisjën e PD-së qytetarët shqiptarë lëviznin lirshëm dhe SHBA nuk pezullonte vizat dhe as BE nuk bllokonte fondet.