TIRANE, 2 qershor 2013 – E perditshmja "Panorama” shkruan sot ne kryeartikullin e saj se Prokuroria e Tiranës duhet të hetojë ish-prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, me akuzën e shpërdorimit te detyrës. Ky është vendimi i dhënë nga gjyqtari Altin Abdiu, më 18 prill 2013, i zbardhur së fundi. Padia është ngritur nga Bardhyl Shehu, prokuror për shumë vite në Kurbin, i shkarkuar nga Ina Rama dhe i pariemëruar edhe pas vendimeve të formës së prerë nga gjykatat për kthimin e tij në detyrë. Shehu dhe disa prokurorë të tjerë u emëruan në detyrat e mëparshme nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pak kohë pas marrjes së detyrës nga ana e tij. 

Ai deklaroi se zbatoi vendimet e gjykatave, që i cilësonin të padrejta shkarkimet e prokurorëve nga Ina Rama. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, përfundimi i Prokurorisë së Tiranës i datës 19 dhjetor 2012 se Ina Rama nuk ka kryer vepër penale, nuk qëndron. Gjykata thekson se ka disa elementë në veprimet e ish-kryeprokurores që duhet të hetohen edhe një herë nga Prokuroria e Tiranës. Konkretisht, gjykata kërkon hetim për moskthimin në punë të prokurorit Shehu nga viti 2011, kur fitoi gjyqin deri në 2013-n, kur vendimet e gjykatave u zbatuan nga kryeprokurori Adriatik Llalla. 

PADIA 

Në padinë e tij, prokurori Bardh Shehu thekson se më 2 shtator 2009 është shkarkuar nga detyra, me dekret të Presidentit, propozuar nga ishkryeprokurorja Ina Rama. Në padi thuhet se Ina Rama e shkarkoi Shehun, edhe pse kontrolli që iu bë punës së tij nuk gjeti shkelje për të cilat ligji parashikon shkarkim nga detyra. Pas shkarkimit, Shehu hodhi në gjyq Prokurorinë e Përgjithshme dhe Presidentin dhe, më datë 18 mars 2010, Gjykata e Apelit mbi ankimin e tij vendosi: pranimin e padisë së paditësit Bardhyl Shehu dhe kthimin në detyrën e mëparshme të paditësit si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin. Ky vendim u la në fuqi edhe në Gjykatën e Lartë e madje, edhe në Kushtetuese. Përkundër këtyre vendimeve, Ina Rama sa ishte në detyrë nuk e ktheu në vendin e mëparshëm prokurorin e shkarkuar padrejtësisht. 

Në vendimin e Gjykatës së Tiranës te zbardhur nga 'Panorama" thuhet se “pasi trupi gjykues shqyrtoi çështjen në tërësi, çmon se vendimi i Prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal duhet shfuqizuar, sepse çmohet nga gjykata si e nevojshme që të hetohet moskthimi në punë i prokurorit Bardhyl Shehu”. “Megjithëse në shkresën nr.1569/5 të datës 23 nëntor 2011, Prokuroria e Përgjithshme thotë se është në pamundësi të rikthejë në punë Shehun pasi vendet organike janë zënë, në fakt në këtë periudhë pretendohet se është emëruar një numër i konsiderueshëm prokurorësh, të gjithë me propozim të Prokurorisë së Përgjithshme të drejtuar nga Ina Rama.