Moviola në fushën e lojës. Pas shfrytëzimit të teknologjisë së vijës së portës, futbolli vrapon drejt së ardhmes, për të përjetuar një revolucion në kuptimin e plot të fjalës. 5 Marsi 2016 bëhet një datë historike për sportin më popullor në botë. Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit, IFAB, pas mbledhjes së zhvilluar në Uells vendosi me shumicë votash t’i hapë dritën jeshile eksperimentimit të moviolës në fushë. Testi, që do të kryhet për një hark kohor prej dy vjetësh, do të nisë jo më shpejt se edicioni 2017-’18. Si hap i parë pas vendimit historik, duhet të përzgjidhen ligat ku përdorimi i moviolës do të eksperimentohet.
Kreu i Shoqatës së Futbollit, Martin Glenn, zbuloi se 13 federata të vendeve të ndryshme kanë shfaqur interes. Emri zyrtar i moviolës në fushë do të jetë “asistencë video” dhe gjatë përdorimit të saj, fjalën e fundit do ta ketë gjithmonë gjyqtari. Rastet e përzgjedhura, kur imazhet filmike do t’i vijnë në ndihmë arbitrave janë për golat e dyshimtë, nëse kishte ndërhyrje të parregullt apo pozicion jashtë loje. Më tej do të përdoret për kartonët e kuq dhe 11-metërshat. Video nuk mund të shfrytëzohet në të gjitha rastet. Do të ekzistojë edhe opsioni “Sfidë”, ku verifikimi nëpërmjet imazheve do të kërkohet nga trajnerët.
Një gjë është e sigurt, ndeshjet e futbolit do të jenë më të gjata. Michel Platini nuk është më pjesë e futbollit dhe nuk mund ta kundërshtojë idenë. Ashtu si edhe Sepp Blatter, që ndërroi mendje në mëngjes. Me vendimin historik për asistencën video në fushë, presidenti i ri i FIFA-s, Gianni Infantino ka mundësinë që të shkëputet nga e kaluara. Sipas gjasave, turneu i parë me moviolën në fushë mund të jetë Euro 2020.