Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot pas mbledhjes së grupit parlamentar se opozita do të ndërmarrë një aksion për të rikthyer funksionimin normal të Parlamentit.

Sipas tij, deputetët e PD-së kanë marrë vendime me seriozitet dhe thekson se në Parlament nuk ka funksionuar kjo gjë sipas rregullave dhe ligjeve.

“Do të kthejmë Kuvendin në bazën e rregullores. Të gjitha format e domosdoshme për rikthimin e Parlamentit dhe funksionimin e tij mbi bazat e Kushtetutës. Vendimi është i prerë.

Sot për sot parlamenti është një instrument opresiv ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk shpreh më, nuk merret me të drejtat e qytetarëve shqiptarë, me interesat e tyre, dhe siç keni parë ju, pas 10 seancash është bllokuar debati në 9 seanca dhe është lejuar në vetëm në 1 seancë.

Ndërkohë deputetët tanë kanë qenë në çdo mbledhje të Komisioneve parlamentare. Kanë shqyrtuar ligje dhe vendime me seriozitetin më të madh”, deklaroi Berisha.