Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka denoncuar si jashtëzakonisht të rrezikshëm vendimin e ndërmjetëm të kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushit, më 9 mars 2026.

Berisha tha se ky vendim krijon një mburojë për krerët e organizatave kriminale, qofshin ato zyrtarë ose jo. Ndër të tjera, kryedemokrati tha se kjo krijon rrezik edhe për të gjithë rajonin.

“Denoncoj si akt jashtëzakonisht të rrezikshëm vendimin e partizanit të Edi Ramës, Sokol Sadushit. Me vendimin që ka bërë e ka shndërruar Shqipërinë në një vend shumë herë më të rrezikshëm se sa është. U krijon mundësi të gjithë kriminelëve të arratisen. 

Nuk do të ketë më kriminelë në bankën e akuzës. Me vendimin e tij krijoi një mburojë për krerët e organizatave kriminale, qofshin ato zyrtarë ose jozyrtarë. Kjo përbën rrezik madhor edhe për rajonin.

"Vendimet e Sokol Sadushit në shërbim të Erion Veliajt"

Gjatë 5 viteve të shkuara, 252 mandate arresti të bosëve të krimit nuk u ekzekutuan dhe mbetën të lirë. Tani nëse mandatet ekzekutoheshin 15% e tyre, tani do të ekzekutohen 0%.

Të gjitha mandatet e arrestit tani do të përfundojnë në arrati dhe në kërkim me këtë vendim që ka bërë Sadushi. Është Edi Rama ai që kalonte nga një studio në studio dhe kërkonte arrestimin për pagesat e dritave dhe të ujit.

Ka burgosur njerëz për një faturë. Pasi arrestoi mbi 30 mijë qytetarë tani akuzon se u mbushën burgjet. Nxitjen e arrestimeve e bëri vetëm Edi Rama. Kjo situatë është krijuar vetëm nga politika. Ka abuzime sigurisht, por këto abuzime duhet t’i shqyrtojnë institucionet inekzistente të drejtësisë”, tha Berisha. /CNA