Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka vendosur ditën e sotme të ndërmarrë një vendim drastik, që do të hyjë në fuqi ditën e hënë, më datë 3 qershor dhe parashikohet të zgjasë deri më datë 7 qershor.

Pas asaj që avokatët e kanë cilësuar diskriminim, ata kanë vendosur bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore penale dhe civile përgjatë javës së ardhshme, me përjashtim të senacave të masave të sigurisë.

Por çfarë ka ndodhur që i ka detyruar avokatët e Durrësit të ndërmarrin këtë masë drastike?

“DurrësLajm” mëson nga burime zyrtare pranë Dhomës Vendore të Avokatisë se rreth 3 javë më parë, Gjykata e shkallës së parë Durrës ka vendosur të lërë jashtë ambienteve të institucionit gjyqësor avokatët, ndërsa ata presin nisjen e seancave.

Megjithëse gjatë kësaj kohe, Dhoma Vendore e Avokatisë ka ndërmarrë takime me titullarin e Gjykatës së Shkallës së Parë nuk është gjetur një zgjidhje.

Sipas përfaqësuesve të avokatëve, kjo sjellje e gjyqësorit në Durrës po e denigron edhe më shumë figurën e avokatit.

“Nuk i lejojnë avokatët të hyjnë në gjykatë dhe i lënë të presin jashtë me palët në gjyq dhe kundërshtarët. Kjo gjë sjell pasoja dhe konflikte midis palëve dhe avokatëve. Po bëhet një trajtim i pabarabartë midis prokurorëve e avokatëve

E kanë denigruar figurën e avokatit komplet. Ndaj dhe po ndodhin këto gjëra. Na thonë: Rrini prisni te trotuari, derisa të fillojë gjyqi!”,- bëjnë të ditur burime nga Dhoma Vendore e Avokatisë.

Të ndodhur në këto kushte, avokatët njëzëri kanë vendosur për bojkotin 5 ditor të seancave gjyqësore.

Në vendim thuhet gjithashtu se për të gjithë ata avokatë që do të shkelin bojkotin dhe do të marrin pjesë në seancat gjyqësore, Komiteti i Disiplinës do të nisë procedim administrativ ndaj tyre.

M.B.