Gykata e Posaçme e Apelit prish vendimin e shkallës së parë për Safet Gjicin, duke e dënuar përfundimisht me 4 vite e 6 muaj burg.
Gjici dënohet me vendim të formës së prerë tashmë jo për shpërdorim detyre, por për korrupsion pasiv.
Edhe për Alma Kaçin u ndryshua vepra penale. Ajo u dënua më shkallën e parë për prostitucion ndërsa vendosi ta dënojë me 1 vit e 6 muaj burg për akuzën e korrupsionit aktiv.
Gjici e Kaçi përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar duke iu zbritur 1/3 e dënimit, përkatësisht 3 vite për Gjicin e 1 vit për Alma Kaçin.
Asnjëri prej tyre nuk mori pjesë në proces, teksa ish-kryebashkiaku i Kukësit prej rreth dy muajsh ndodhet në spital.
VENDIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), më datë 24.06.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 33 akti, datë 13.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimet e paraqitura nga ankuesit/të pandehurit S.Gj. dhe A.K., kundër vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Gj. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri S.Gj. me 2 (dy) vjet burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin S.Gj. fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme.
- Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit S.Gj. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës A.K., lidhur me kryerjen e veprës penale “Prostitucioni” parashikuar nga neni 113 parg.2, i Kodit Penal dhe dënimin e saj në bazë të kësaj dispozite me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurën A.K. me 1 (një) vit burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurën A.K. fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të vuajtjes së dënimit për femra.
- Lidhur me provat materiale disponohet sipas kërkesës së Prokurorisë.
- Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit dhe ato gjatë gjykimit ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar”.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Ndryshimin e Vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Z. S.Gj. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 4 vjet dhe 6 muaj burgim.
- Në bazë dhe për zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi i caktuar ndaj Z. S.Gj. ulet me 1/3 e tij, duke mbetur përfundimisht 3 vjet burgim.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës Znj. A.K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, dhe dënimin e saj me 1 vit dhe 6 muaj burgim.
- Në bazë dhe për zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi i caktuar ndaj Znj. A.K. ulet me 1/3 e tij, duke mbetur përfundimisht 1 vit burgim.
- Lënien në fuqi të Vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën tjetër të disponimeve.
- Shpenzimet gjyqësore të gjykimit në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
- Kundër këtij vendimi mundet të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.