Nga Artan Fuga

Më ka bërë shumë përshtypje vendimi i fundit i gjykatës kushtetuese ku votimet e antarëve të saj ishin 4 me 4.

Meqënëse kam disa kohë që merrem në thellësi me atë që quhet “game theorie”, një nga aplikimet më të fuqishme të teorive të probabilitetit, të psikologjisë dhe sociologjisë të aplikuar, mu duk shumë interesante ngjarja.

Nga pikëpamja e probabilitetit, mundësia për të mos patur këtë rezultat ishte 500 herë më i lartë në krahasim me atë që ngjarja të kishte si “pay off” rezultatin 4 me 4. E megjithatë ndodhi. Si e pabesueshme të ketë ndodhur rastësisht, por edhe mundet! Po aq sa është e mundur që një bisht cigareje i hedhur nga ballkoni të bjerë në tavllën e duhanit të kafenesë në trotuarin poshtë! Por, edhe ndodh!

Mu duk edhe si ndeshtjet e dikurshme midis kombëtare së futbollit të Kinës dhe të Shqipërisë që dilnin 6 me 6. Krejt sipas “game theorie”. Publiku kënaqej në gola, ndeshja dilte në barazim si miqësia e pathyeshme kino-shqiptare, lojtarët shënonin, të gjithë palët e gjenin rezultatin e tyre në një rezultat me lojë super mediokre. Pikë e përkryer ekuilbri.

“Game theorie” zbatohet në poker, tenis, ekonomi, politikë, luftra, kudo. Edhe në politikë i keni parë ju partitë në vendet evropiane ku luhet lirshëm politika, si dalin votimet rrotë më rrotë në atë që quhet “game average”? Me dy ose tre përqind ndahen votat, deputetët, etj. Jo si te, ne s’ka probabilitet që na parashikon dot.

Pra nëse njëra palë merr një anëtar gjykate, pala tjetër merr një edhe ajo, dy me dy, tre me tre, e kështu ekuilibri i jashtëm shfaqet në ekuilibrin e brendshëm. 4 me 4 qeveria me spakun. Ekulibër brenda dhe ekuilibër jashtë.

Unë nuk kam asnjë provë të them se gjyaktësit janë marrë vesh me njëri tjetrin, duke u kthyer si quhen në “cooperating actors”, pra ta kenë bërë me llaf. Larg meje kjo hamendje djallëzore. Por që ky rezultat, si dikur ndeshjet me Kinën, i kënaq të gjithë në Gjykatë, kjo nuk ka diskutim.

Askush nuk mund të thotë se anëtari i gjykatës detyrohet. Ja pra, ca votojnë pro ca kundra, ç’a doni tani? Gjykata ka marrë një vendim, gabim ata jurista që thonë se nuk mori vendim.

Kanë marrë juridikisht vendimin për të mos marrë vendim! Eshtë një vendim i mosvendimit, gjithsesi vendim në planin juridik.

Pra, ja kthen topin institucioneve që deshën ta bëjnë Gjykatën fushë beteje.

Unë e kam thënë qysh në fillim: Kjo çështje ose hidhte në kosh reformën në drejtësi ose ribën qeverinë. Rrugë tjetër nuk ka.

Pse? Epo studjoni “game theorie” o analista!

Cfarë të bënin gjykatësit?

Të votonin për ankesën e Kryeministrit, atëhere sipas “game theorie” do t’i vinin shkelmin reformës në drejtësi, pra vetes së tyre. Ta votonin kundër? Atëhere do të dilnin kundër qeverisë që i ka vendosur aty, qoftë edhe nëpërmjet Kuvendit. Qeveria po i kërcënon se do ta shohi punën e tyre, tha një ish ministër jurist pardje.

Në këtë rast hezitimesh të barabarta, game theorie ka teoremën e “minimax game”, që do të thotë se aktorët në lojë arrijnë vetëm barazimin mes tyre.

Rezultatin mediokër të mesit.

Nuk është çështje vullneti gjyqtarësh, është çështje probabiliteti dhe “rational choices”.

Kjo, afatshkurtër. Po afatgjatë?

Sikurse thotë një nga teoricienët e “game theorie”, afatgjatë të gjithë jemi të vdekur! Me një fjalë afatgjatë vetëm budallenjtë mendojnë! Sidomos jo politikanët që afatgjatë të gjithë do ta humbin pushtetin.