“Çudi, shpikje, marrëzi dhe fantazi” me këto fjalë e ka konsideruar vendimin e gjykatës së Durrësit për të mos njohur mandatin e kryebashkiakes së Durrësit, kandidatja e Bindjes Demokratike, Valbona Sakollari.
Në një reagim mbrëmë në orët e vona të natës në faqen e saj në “Facebook”, Sakollari thotë se “Kur është në kohën e fundit, njeriut nuk i vihet re çfarë bën. Kështu dhe këtij sistemi, duke qenë në grahmat e fundit të tij, nuk i vihen re marrëzitë që prodhohen ditë pas dite me të vetmin qëllim të shpërndarjes të sa më shumë tymnaje, për të mjegulluar realitetin”.
REAGIMI I SAKOLLARIT:
Çuditë i patëm dhe në mes të dimrit, ndaj s’kishin si të mungonin në behar, me gjithë këtë vapë… nuk po i vihet fré fantazisë, çdo ditë nga një “shpikje” politike/juridike/katastrofike….Kur është në kohën e fundit, njeriut nuk i vihet re cfarë bën. Kështu dhe këtij sistemi, duke qenë në grahmat e fundit të tij, nuk i vihen re marrëzitë që prodhohen ditë pas dite me të vetmin qëllim të shpërndarjes të sa më shumë tymnaje, për të mjegulluar realitetin.
Gjykata e Durrësit nuk i dha dje mandatin e kryebashkiakes Valbona Sakos, kandidates që u shpall fituese më 30 qershor, përballë kandidates së Bindjes Demokratike, Valbona Sakollari. Sipas vendimit të Gjykatës, Bindja Demokratike është regjistruar jashtë afatit zyrtar më 25 prill, dhe për këtë arsye zgjedhjet lokale janë nul.
Ndërkohë, vetë Valbona Sako, u shpreh se do të ankimojë vendimin e gjykatës për rrëzimin e kërkesës së verifikimit të mandatit të saj në krye të bashkisë së Durrësit, pasi sipas saj, Gjykata e Durrësit vepron me dy standarde.





