Në një deklaratë për mediat ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji tha se vendimi i gjykatës për ta dënuar me 1 vit burg për çështjen “Babale” nuk e tremb, por e bën më të fortë.
Sipas Salianjit, gjyqi ishte i montuar nga gjykatës dhe prokurorë që i kanë shërbyer bandës së Lushnjës, ndërsa shtoi se do ta apelojë çështjen, nëse është e nevojshme edhe në Strasburg.
“Siç ishte e pritshme, pasi e kemi deklaruar prej kohësh. Një pretencë e shkruar dhe vendimmarrje e shkruar, pa bazuar në prova dhe fakte e ligj. E bazuar në dëshirën politike të kryeministrit. As për sy e faqe nuk priti për të marrë kohën për provat që dorëzuam ne. U abuzua në prova dhe fakte. Në ambicien politike të gjyqtarit dhe anëtarëve të bandës së Lushnjes, famëkeq në lidhje me vendimin që ka dhënë për lirimin e tyre dhe famëkeq për vendimin e sotëm që i shërben vetëm rrugës së tij politike për t’u futur në PS. Ka disa shkelje të qarta që e bënë këtë vendim të ishte në këtë konkluzion shumë kohë më parë. Po ky gjyqtar në një çështje timen me një përfaqësues të PS është tërhequr për faktin se ishte në konflikt interesi. Nuk ka mafie, llucë, as qelbësira që më ndalin dot dhe s’më izolojnë. Kanë tërhequr në një llum dhe llucë të vogël edhe disa prokurorë dhe disa gjyqtarë që i kanë të partisë së vetë për t’i shërbyer mafias. Kjo nuk më tremb, por më bën modestisht, më të fortë, pasi jam unë që jam në nja 50 procese gjyqësore me përfaqësues të PS. Gjyqtari është i partisë së tyre. Kjo lloj drejtësie iu shërben mafies. Jam i privilegjuar që jam unë që po luftoj këtë mafia. Unë po denoncoj me emra anëtarët e këtij grupi kriminal. Mua s’më tremb aspak ky lloj dënimi. Ky nuk është kërcënim për burgosje. Këta janë përfshirë në një llum. Do ta apeloj dhe nëse vazhdohet me këtë situatë, do të shkojë çështja deri tek Gjykata e Strasburgut. Sot gjyqtari ishte me Xhafajt, ai ishte me bandën e Agron Xhafajt, pushoi hetimin për të për trafik droge dhe për vëllanë e tij Fatmir Xhafajn, që duhet të ishte dënuar për shpërdorim detyre”, tha Salianji.





