Çmenduri të regjimit të Edi Ramës, e cilësoi kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që njohu zyrtarisht si kryetar të PD, Lulzim Bashën, duke rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 Majit. Meta e akuzoi Kryeministrin Rama se pengoi regjistrimin e vendimit të gjykatës për PD.

Sot KQZ nuk pranoi kërkesat e PD për t’u regjistruar në zgjedhje, ndërkohë kërkesa e firmosur nga Lulzim Basha u kthye mbrapsht pikërisht për shkak të problemeve me autorizimin, duke qenë se ai ka dhënë dorëheqjen një vit më parë. Si e gjykoni ju që partia më e madhe opozitare, pra PD, rrezikon të mbetet jashtë këtyre zgjedhjeve?

Ilir Meta: Çdo institucion në Republikën e Shqipërisë që udhëhiqet nga Kushtetuta dhe ligji dhe çdo përfaqësues në këto institucione, që udhëhiqet nga Kushtetuta dhe ligji meriton vlerësimin më të mirë dhe më të shkëlqyer nga çdo qytetar i vendit, për këtë situatë kaq dramatike sa jemi në këtu. Dhe nuk dua të hyj në këto çështje proceduriale se ju e dini qëndrimin tim. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet një; respekti i vullnetit të anëtarëve dhe simpatizantëve të PD, që është demonstruar në mënyrë publike dhe transparente, përmes foltoreve dhe Kuvendit të 11 Dhjetorit, por që është demonstruar edhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit vitin e kaluar, dhe që është demonstruar nga akti i vetëm sa i takon çështjes së njohjes së PD, që është i gjykatës përpara një viti. Pastaj çmenduritë e regjimit të Edi Ramës, këto i di çdo qytetar i Shqipërisë, përfshirë socialistët e ndershëm, por i dinë më mirë të gjithë opozitarët dhe të gjithë demokratët. Pra mënyrën sesi ai pengoi regjistrimin e vendimit të gjykatës dhe të gjitha lojërat e deritanishme.

Meta theksoi se më 14 Maj e gjithë opozita do të jetë në kutitë e votimit për të mbrojtur votën e qytetarëve.

Ilir Meta: Një gjë mund t’ua them me bindje të plotë, Partia e Lirisë dhe e gjithë opozita e vërtetë, do të jetë atje në kutitë e votimit. Në 14 Maj, asnjë votë nuk do guxojë të prekë dikush, sepse nëse do ta prekë, atëherë do të mbajë të gjithë përgjegjësitë përpara gjithë shqiptarëve dhe botës, që do t’i ketë sytë atë ditë në Shqipëri./