DURRËS, 31 tetor 2014–  UEFA nuk ka dhënë ende argumentimin e saj në lidhje me vendimin që mori më datë 24 tetor për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Nëpunësit e federatës sonë kanë qenë në pritje të vendimit të zbardhur dhe argumentuar, por qeveria e futbollit europian duket se do të shfrytëzojë në maksimum afatin pesëditor që ka në dispozicion. Ndërkohë, juristi i FSHF-së, Enton Lita ka shpjeguar se institucioni qëndror i futbollit në Shqipëri do të presë edhe 5 ditë të tjera. "UEFA ka në dispozicion 10 ditë kohë për të zbardhur një vendim të tillë. Ne bëmë pjesën tonë, duke kërkuar që të bëjmë apelimin. Natyrisht do presim derisa të vijë vendimi i argumentuar dhe më pas kemi 5 ditë kohë për ta çuar çështjen në Komisionin e Apelit. Këto janë procedurat zyrtare që ndiqen nga UEFA", ka sqaruar Lita.