Prokuroria ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për Dritan Dajtin, i cili u dënua me 25 vite burg nga Shkalla e Dytë, pasi pranoi gjykimin e shkurtuar duke i ulur dënimin.
Vendim për të cilin, organi i akuzës nuk ishte dakord, duke kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm dhe mospranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar.
Gjykata e Shkallës së Parë, e dënoi Dajtin me burgim të përjetshëm, për vrasjen e 4 policëve në 2009-ën. Gjithashtu, Shkalla e Parë, nuk i pranoi Dajtit as kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Ndërkohë, prokuroria tashmë i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kërkuar prishjen e vendimit të Apelit, si një vendim i pabazuar dhe dënimin e Dajtit me burgim të përjetshëm.





