Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar fill pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për dosjen “Becchetti”.
Me anë të një postimi të bërë në rrjetet e tij sociale, Bardhi shkruan se kjo çështje ka nevojë urgjente që të hetohet, duke mos i kursyer as akuzat ndaj GJK-së.
Sipas tij, kjo Gjykatë po bëhet mburojë e korrupsionit të qeverisë.
“Banaliteti me të cilin Gjykata Kushtetuese ka penguar ngritjen e Komisionit Hetimor për dëmin prej më shumë se 110 milion euro ndaj shtetit shqiptar, shkaktuar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, provon edhe njëherë se kjo çështje ka nevojë urgjente që të hetohet! Asnjë arsye banale dhe jo kushtetuese nuk duhet të pengojë opozitën ti shkojë deri në fund kësaj çështje. Keqardhje që GJK e reformuar po “reformon” vetveten në dëm të interesit publik, duke u bërë mburojë e korrupsionit dhe paligjshmërisë qeveritare,”-shkruan Bardhi.





