Tirane,16 gusht 2013-Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar dje propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të hequr Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë nga Plani i Shpërndarjes së objekteve. 
Në këtë mënyrë i hapet rruga zyrtarisht kalimit të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë nga pronësia e Ministrisë së Mbrojtjes te Partia Demokratike. Ne nje deklarate per mediat nga selia blu, zedhenesja e PD-se, Laura Vorpsi ka premtuar se Ish Shtepise se Ushtrise do t’i kthehet serioziteti.

“Ish-Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, e cila prej kohesh ka humbur funksionet institucionale publike, do t’i kthehet rëndësia dhe serioziteti i munguar. Ky ambient do modernizohet dhe do të funksionojë si një nga institucionet me të rëndësishme publike, si vendi i opozitarizmit, i alternativës qeverisëse, institucioni ku do të lindë një projekt i ri politik për Shqipërinë! Në çdo vend demokratik përmirësimi i kushteve të punës së opozitës do të kishte marrë përgëzime. Institucioni i opozitës është themeli i demokracisë dhe kolonë e zhvillimit të një kombi.”- deklaroi zëdhënësja e PD-së. 

Partia Demokratike ka akuzuar kreun e PS-së, Rama se po kërkon të minojë veprimtarinë e opozitës. 
“Përpos këtij akti sa moral, demokratik dhe ligjor, po del në pah një fenomen i rrezikshëm: lufta e paskrupullt për të minuar aktivitetin institucional të opozitës! Prej mëse dy javësh marioneta të pushtetarëve të nesërm kanë nisur një sulm të paprecedent ndaj Partisë Demokratike. Vajtojnë për fatet e një ish-restoranti të ushtrisë ata që vite më parë, për interesa pushteti sakrifikuan të gjithë infrastrukturën ushtarake të vendit, ata që bënë çmos të pengonin hyrjen në Aleancën Veri-Atlantike. Reflekset e njeriut-shtet që ëndërron të bëjë njëherësh kryeministrin, kryeprokurorin, gjykatësin dhe ekzekutuesin, flasin për rrezikun e rilindjes se autokracisë, të rënies së shtetit në duart e një sundimtari. Jo selia e re e Partisë Demokratike, por reflekset autoritare, mungesa e përvojës ekzekutive e qeveritarëve të rinj, legjitimiteti i dëmtuar nga shit-blerja masive e votës, inkriminimi i një pjese të grupeve parlamentare si dhe tendencat për monopolizim të ekonomisë nga biznesmenë me pushtet, janë sfidat reale të shoqërisë shqiptare. Për këtë lufte parimore për shtetin, demokracinë, lirinë dhe zhvillimin ekonomik, Partia Demokratike do jetë në krah të shqiptarëve, në mbrojtje të interesave dhe vlerave të tyre perëndimore! “- përfundon deklarata e PD-së.