TIRANE, 6 prill 2013 – Qeveria ka përgjysmuar taksën vjetore të makinave. Gazeta “Panorama” zbardh ndryshimet që do të kalojnë mbledhjen e së mërkurës në qeveri dhe që do të kenë një efekt në buxhet prej rreth 25 milionë dollarësh. Taksa e makinave të përdorura, ose siç njihet rëndom si taksa e qarkullimit, që nga fundi i majit ose fillimi i qershorit, por sigurisht përpara zgjedhjeve, do të paguhet e përgjysmuar.
Nga vendimi nuk do të përfitojnë vetëm ata që e kanë lënë pagimin e taksës pas majit. Në relacionin e publikuar dje nga ministri Bode, në faqen e tij në “Facebook”, theksohet se të gjithë ata persona që kanë një automjet dhe nuk e kanë paguar taksën e qarkullimit për vitin 2013, do ta paguajnë atë të përgjysmuar.
Afati për pagesën është deri më datë 1 janar 2014. Fushata zgjedhore duket se e ka ndikuar ndjeshëm qeverinë në marrjen e këtij vendimi, pasi kostoja vjetore është rreth 2.5 milionë lekë. Por, Bode thekson në fund të postimit të tij në internet: “E kam deklaruar dhe me parë se qeverisja e Partisë Demokratike nuk do të rritë asnjë taksë, dhe kjo nuk diskutohet”.
Ndryshimi i formulës
Qeveria ka ndryshuar ligjin “Për taksat kombëtare”. Në nenin 3 të këtij ligji parashikohet formula për pagesën e taksës vjetore e mjeteve të përdorura, “Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën”. Qeveria ka përgjysmuar pikërisht taksën fikse për llojin e karburantit. “Kështu, përgjysmimi i taksës fikse për të dy llojet e karburanteve, respektivisht nga 25 lekë në 12.5 lekë për naftën dhe nga 20 lekë në 10 lekë për benzinën, bën të mundur përgjysmimin e taksës vjetore të mjeteve të përdorura që pronari i mjetit paguan”, theksohet në relacionin e publikuar nga Bode. Të gjithë pronarët e mjeteve e kanë të thjeshtë tani llogaritjen. Ata, pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të paguajnë gjysmën e taksës.
Afatet dhe gjobat
Sipas relacionit, në ligj është ndryshuar edhe afati i taksës. “Ndryshimi i propozuar bën të mundur që vlefshmëria e taksës të bëhet 365 ditë, e njëjtë me afatin e siguracionit të mjetit TPL dhe me afatin e vlefshmërisë së kontrollit teknik vjetor”, theksohet në relacion. E thënë më thjeshtë, taksa do të paguhet ditën që paguhet edhe sigurimi dhe kur bëhet kolaudimi i makinës. Përgjithësisht, kështu bëjnë të gjithë shoferët.
Një ndryshim tjetër është ai i penaliteteve. Gjobat për vonesën e pagimit të taksës nuk do të kalojnë më shumë se 25 për qind në vit. “Janë parashikuar gjithashtu penalitete për pronarët e mjeteve, të cilët nuk kryejnë pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, në masën 5% të shumës së papaguar të çdo muaji, por jo më shumë se 25% për çdo vit”, thuhet në relacion.





