Qeveria ka miratuar një fond prej 80 milionë lekësh për financimin e veprimtarisë së fondacionit sportiv “Durrah City Football Academy” për vitin 2025.
Vendimi është marrë me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në kuadër të mbështetjes së zhvillimit të sportit në vend.
Sipas vendimit të publikuar, fondet do të përdoren nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, konkretisht nga programi buxhetor “Për zhvillimin e sportit”, dhe do të transferohen në llogarinë bankare të fondacionit.
Gjithashtu, fondacioni është i detyruar të dorëzojë një raport të detajuar të shpenzimeve të realizuara gjatë vitit 2025, brenda muajit shkurt të vitit 2026, i cili duhet të jetë i miratuar nga bordi drejtues i tij.
Fondet do të jenë subjekt i rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit është ngarkuar me zbatimin e tij.





