Qeveria shqiptare ka shpallur ditë zie kombëtare 29 marsin në nder të deputetit socialist dhe ish-kryeministrit Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare për shkak të Covid-19.
Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që ka publikuar vendimin në një postim në Facebook, duke e shoqëruar me emoji, një zemër të zezë.
Kështu, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.
Qeveria vendosi:
Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e hënë, datë 29 mars 2021, në nderim të të ndjerit Bashkim Fino, Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe deputet në një sërë legjislaturash.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri në gjysmë shtize.
Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e hënë, datë 29 mars 2021, ora 12:00 deri në orën 16:00, në mjediset e Pallatit të Kongreseve.
Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.





