Paraditen e së martës, në qendër të Durrësit do të zhvillohet Panairi i Punës dhe Aftësive.
Bizneset më të mëdha në rajonin tonë do të marrin pjesë në të për të prezantuar para punëkërkuesve ofertat e tyre të punësimit.
Emigrimi në masë i të rinjve dhe forcës aktive për punë po e bën gjithnjë e më të vështirë për bizneset të gjejnë staf të aftë për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës.
Ky panair pritet të krijojë mundësi të reja punësimi, sidomos në këtë periudhë sezoni turistik kur nevoja e bizneseve për personal sezonal rritet ndjeshëm.
Ditën e sotme, në sheshin “Liria” janë vendosur tendat e panairit, ndërsa në orët në vijim pritet të vendosen tavolinat, karriket, banerat reklamues të bizneseve dhe gjithçka tjetër që do të garantojë mbarëvajtjen e aktivitetit.
Panairi i Punës dhe Aftësive organizohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, në bashkëpunim me bashkinë Durrës.








