Punonjësit e ndërmarrjes “Rruga” sapo kanë përfunduar vijëzimin pranë shkollës 9-vjeçare “Vëllezërit Haradinaj” në Njësinë Administrative Rrashbull.
Pas ngritjes së shqetësimit të banorëve të zonës, pranë redaksisë së “DurrësLajm”, janë vendosur vijat e bardha në aksin rrugor pranë kësaj shkolle.
Më herët, një banor shkruante se pavarësisht se viti shkollor është në prag mbi 500 nxënësit e kësaj shkolle do të detyrohen të ecin në rrugë, sa herë shkojnë apo dalin nga ky institucion arsimor, pasi mungojnë vijat e bardha dhe trotuaret.
Tashmë, në ditën e parë të shkollës, nxënësit e kësaj shkolle por edhe prindërit e tyre do të ndihen më të sigurt kur të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
Gjatë këtyre ditëve të para të shtatorit, bashkia Durrës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor dhe pikërisht në këtë kuadër po kryhet rinovimi i vijave të bardha dhe i të gjithë sinjalistikës rrugore pranë shkollave të qytetit, por edhe në zonat periferike si Shënavlash, Kullë, Rrashbull etj.





