DURRËS, 8 mars 2015 – Rruga pranë kishës ortodokse mori emrin “Imzot Fan S. Noli” në një ceremoni të veçantë përkujtimore. Kisha ortodokse në Durrës në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit kanë zgjedhur të dielën, 8 mars 2015, për zhvillimin e kësaj ceremonie, pasi, më 8 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, kleriku dhe patrioti i madh shqiptar Fan Stilan Noli u dorëzua prift.
Në fillim në kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit u zhvillua mesha, e cila u drejtua nga Episkopi i Apolonisë, Hirësia e Tij Nikolla. Të pranishëm në këtë meshë kanë qenë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare si dhe qytetarë të Durrësit. Më pas në një ceremoni të veçantë u zbulua edhe pllaka me emrin e Fan Nolit, që tashmë ka kjo rrugë. Pllaka u zbulua nga Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe Hirësia e Tij Nikolla.
Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako tha në fjalën e tij:
“Bashkia dhe këshilli bashkiak e miratuan menjëherë kërkesën e kishës ortodokse dhe të qytetarëve të Durrësit për vendosjen e emrit të kësaj rruge për nder të patriotit të madh Fan Noli. Ishte dëshirë unanime e të gjithëve që kjo rrugë të merrte emrin e një prej figurave më të rëndësishme të Shqipërisë siç është Fan Noli. Bashkia e Durrësit do të vazhdojë të promovojë edhe më shumë të gjitha figurat e rëndësishme, që kanë dhënë kontribut të çmuar për qytetin e Durrësit”.
Përfaqësuesi i kishës ortodokse të Durrësit at Spiro Kostoli deklaroi:
“Kisha ka zgjedhur muajin mars për të nderuar figurën e Nolit të madh, i cili ishte edhe mitropolit i Durrësit. Pikërisht në 8 mars 1908 Noli u dorëzua prift dhe në 22 mars të po atij viti kreu meshën e parë në gjuhën shqipe, ndërkohë që në 13 mars është edhe 50-vjetori i vdekjes së tij. Kisha ortodokse e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë e vlerëson Fan Nolin si nismëtarin e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare. Me përkthimin e librave kishtarë kontribuoi në vendosjen njëherë e mirë të përdorimit të gjuhës shqipe në shërbesat fetare ortodokse”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi d. a./





