Një kryq i vendosur në zonën e “Kodrës së Diellit” pranë qytetit të Tetovës, ka nxitur mjaft debat në Maqedoninë e Veriut.
Kjo, pasi Tetova është një qytet me shumicën dërmuese të popullsisë shqiptare, myslymane, dhe një përqindje të vogël të maqedonasve të besimit ortodoks.
Vendosja e kryqit 15 metra të lartë, duket se ka përçarë dhe vetë forcat politike shqiptare të cilat hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës.
Bashkimi Demokratik për Integrim e cilësoi vendosjen e kryqit si skandal dhe kërkoi që Komuna e Tetovës të mbajë përgjegjësi për lejimin.
“A është vendosja e këtij kryqi gjë paraprakisht e dakorduar mes Besës së Bilall Kasamit dhe VMRO DPMNE-së, një favor i mbajtur fshehtë nga qytetarët për ndihmën që VMRO-ja i ofroi Besës në zgjedhjet lokale për komunën e Tetovës?”, kanë thënë nga BDI.
Nga ana tjetër Lëvizja Bea e cila drejtohet nga krybashkiaku i Tetovës Bilal Kasmi tha se nuk ka kanë asnjë lidhje me vendosjen e kryqit.
“BDI pasi planifikoi të gjitha aktivitetet për vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit, dëshiron që fajin t’ia vë Lëvizjes Besa. Njëjtë sikur ua vendosnin fajin shqiptarëve kur i rrihnin nxënësit nëpër autobusë, për rastin “Alfa”, rastin “Monstra”, Kalanë dhe shumë raste të tjera. Imagjinoni, BDI ka aranzhuar gjithë aktivitetin, duke u koordinuar me Gruevskin, duke e planifikuar me Vuçiçin e duke e zbatuar me Zaevin e Kovaçevskin. BDI mendon se qytetarët harrojnë se ajo bashkë me VMRO-DPMNE-në qeverisi për dhjetë vite, ku e bashkë planifikuan projektin “Shkupi 2014”, kryqet nëpër gjithë fushat e kodrat e Maqedonisë së Veriut dhe pasi i realizuan një pjesë të këtyre skenarëve edhe me LSDM-në dëshirojnë që fajin t’ia vendosin Lëvizjes BESA! Ne si Lëvizja BESA deklarojmë me përgjegjësi më të lartë se nuk kemi asnjë lidhje me vendosjen e kryqit dhe nuk do e pranojmë vendosjen në Kodrën e Diellit. BDI të jap llogari, se çfarë plane tjera bën me Gruevskin dhe Vuçiçin?”, ka deklaruar Lëvizja Besa.
Në lidhje me rastin reagoi dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, të cilët këtë akt e kanë cilësuar si provokim të pastër dhe si nxitje për konflikte ndërfetare.