Ministri italian i Sportit, Vinçenco Spadafora, ka vendosur që t’i “rrëmbejë” një tjetër favor kryeministrit Konte, i cili kishte urdhëruar se nuk do të lejohej asnjë aktivitet sportiv deri më datë 14 qershor.
Gjithsesi, duke parë kalendarin e ngjeshur të Serisë A që do të paraprihet nga Kupa e Italisë, Spadafora ka konfirmuar se kërkesa e Interit për të paraprirë gjysmëfinalet e kthimit është pranuar dhe ndeshjet nuk do të zhvillohen më në datë 13-14 qershor, por më 12 dhe 13 qershor.
Sfida e parë në skenë (data 12) do të jetë ajo në Torino mes Juventusit dhe Milanit (ndeshja e vajtjes përfundoi në barazim 1-1), ndërsa Napoli-Inter në “San Paolo” do të luhet më 13, duke kujtuar se zikaltrit humbën të parën në “San Siro” 1-0 dhe për të arritur në finalen e 17 qershorit duhet të përmbysin Hysajn me shokë.
Ndërkohë, një tjetër risi mbi gjysmëfinalet e kthimit të Kupës së Italisë është edhe orari i ndeshjeve. Ato nuk do të luhen më në 21:00, siç ka qenë edhe kontrata me televizionet, por në 21:45, orari i ri zyrtar për Serinë A për ndeshjet e darkës, si rrjedhojë e temperaturave të larta të kësaj stine.





