Një lajm shumë i bujshëm vjen nga Anglia, teksa Federata e atij vendi ka vendosur të pezullojë për 10 javë nga të gjithë aktivitetet futbollistike dhe të dënojë me më shumë se 70.000 euro gjobë, Kieran Tripier. Mbrojtësi anësor akuzohet se ka shkelur rregullat mbi bastet, duke qenë se ka përfituar shuma monetare nga fakti se e dinte që do të transferohej te Atletiko Madrid nga Totenhemi në korrikun e vitit 2019. Rregullat në Angli janë të qarta dhe nuk lejojnë askënd të përfshihen në kumar.
“Një lojtar është gjithashtu i ndaluar të japë informacion palëve të treta që e ka marrë për shkak të pozicionit të tij”, thuhet në rregullat e Federatës Angleze. Ndërkaq, dënimi 10-javor për Tripier është i aplikueshëm edhe në Spanjë.
Edhe pse Tripier e ka mohuar mundësinë e përfshirjes në baste, duket se vendimi është marrë dhe trajneri Diego Simenone do të humbasë një element shumë të rëndësishëm teksa në këtë sezon Tripier është aktivizuar në të gjithë ndeshjet e kampionatit. Sakaq, pezullimi nga të gjithë aktivitetet futbollistike, ia ndalon lojtarit edhe të stërvitet me Atletikon.





