Ministri i Punëve të Brendshme, Drejtësisë dhe Paqes, Diosdado Cabello, ka njoftuar sekuestrimin e një ngarkese masive prej 6.850 kilogramësh drogë.

“Me këtë rezultat, shteti venezuelas arrin shifrën e 7.148 kilogramëve të sekuestruar, vetëm gjatë 13 ditëve të para të muajit janar”, u shpreh ai.

Sipas mediave të huaja Cabello sqaroi se ngarkesa kryesore përbëhej nga 238 thasë, të cilët përmbanin gjithsej 14.280 pako. Cabello theksoi se operacioni përfundoi me sekuestrimin e 6.850 kilogramëve substanca të paligjshme. Sipas ndarjes së ngarkesës, ajo përbëhej nga 14.199 pako marijuanë (6.758 kg) dhe 81 pako kokainë (91 kg).

“Është një goditje shumë e fortë ndaj narrativës që thotë se Venezuela lehtëson trafikun. Nga këtu nuk do të kalojë as kokainë, as marijuanë, asnjë lloj droge që shteti mund ta ndalojë në rrugën e saj”, deklaroi Cabello, duke nënvizuar se çdo sekuestrim përfaqëson heqjen e një këmbë nga tryezae strukturës logjistike kriminale.

Operacionet në Zulia

Cabello bëri të ditur se edhe në shtetin Zulia janë zhvilluar operacione, shumica e të cilave të lidhura me sekuestrime droge. Procedura e parë që përmendi ishte arrestimi i tre personave që posedonin 75 pako marijuanë, me peshë totale 39 kilogramë të së njëjtës substancë.

Operacioni i dytë përfshiu arrestimin e tre personave të tjerë që kishin 50 pako dhe 50 kilogramë marijuanë në shtetin Zulia. Ai sqaroi se të përfshirët në të dy rastet janë të lidhur me mafien shqiptare që operon nga Ekuadori dhe se ai, si ministër, po zhvillon një luftë reale kundër narkotrafikut. Cabello shpjegoi se, duke bllokuar rrugët detare dhe ajrore, mafiet detyrohen të përdorin rrugë tokësore, ku janë më të ekspozuara ndaj mbikëqyrjes shtetërore.