Hije lufte edhe në Amerikën Latine.

Pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Tramp për një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë, presidenti venezuelian Nikolas Maduro urdhëroi nisjen e stërvitjeve ushtarake në shkallë kombëtare, për të qenë në gatishmëri për kundërpërgjigjje ndaj çdo sulmi nga jashtë.

Maduro tha se stërvitjet masive ushtarake do të zhvilloheshin më 26 dhe 27 Gusht. Presidenti venezuelian foli gjatë një manifestimi pro tij në kryeqytetin Karakas, i organizuar kundër asaj që ai e quajti “çizme imperialiste e amerikanëve”.

Edhe pse prej kohësh diskutohej, të premten presidenti amerikan Donald Tramp e tha publikisht se administrata e tij po shqyrtonte mundësinë për një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë.

Kriza venezueliane e ka zanafillën prej vitit 2015, kur zgjedhjet parlamentare i fitoi opozita.

Por presidenti Maduro nuk pranoi t’i njohë, duke ndërmarrë hapa ligjore për t’i konsideruar këto zgjedhje si të jashtëligjshme.

Tensionet janë rritur së tepërmi pas protestave të përgjakshme që shoqëruan zgjedhjet paralamentare të 30 Korrikut, të majtistët e Maduros fituan shumicën. Por ato nuk u njohën nga opozita dhe faktori ndërkombëtar. Deri me tani gjatë protestave anti-Maduro janë vrarë mbi 100 persona.