Gian Piero Ventura nuk gëzon më mbështetjen e opinionit sportiv, por edhe drejtuesve të Federatës së Futbollit, në Itali. Nën drejtimin e tij, ‘të kaltrit’ po vuajnë të dalin në lojën e tyre dhe kjo u pa qartë edhe në sfidën e parë të Play Off-it, ndaj Suedisë, ku u mposhtën 1-0.
Nesër në mbrëmje do të luhet ndeshja e kthimit, në një ‘San Siro’ , të tejmbushur, ku Italia do të tentojë kualifikimin, por duket se aventura e Venturës do të përfundojë bashkë me këtë takim.
Mediat italiane raportojnë se edhe në rast kualifikimi, është e vështirë që Ventura të vijojë drejtimin e ekipit, ndërsa Federata ka filluar të shqyrtojë alternativat që do ta pasojnë. Emri i parë në listë është ai i trajnerit aktual të Italisë U-21, Gigi Di Biaggio.
Ish-mesfushori i Interit është vlerësuar për punën e mirë që ka bërë me ekipin Shpresa, por gjithsesi ka pikëpyetje mbi mundësinë e tij për të qenë i suksesshëm në kombëtaren e madhe. Gjithsesi, në listën e dëshirave janë edhe 4 teknikë të tjerë, si Conte, Ancelotti, Mancini dhe Allegri. 3 prej tyre janë në punë aktualisht, ndaj duke pasur parasysh se i vetmi i lirë është Ancelotti, nuk përjashtohet mundësia që ky i fundit të marrë drejtimin e ekipit.
Ancelotti ka drejtuar disa prej ekipeve më të mëdha të ligave kryesore europiane dhe ka fituar trofe të rëndësishëm, por asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën që ka për të drejtuar kombëtaren e tij.





