Tenistja Venus Williams nuk ka bërë asnjë shkelje në aksidentin rrugor të 9 qershorit, kur makina e saj u përplas me atë të familjes Barson, që solli edhe vdekjen e 78-vjeçarit Jerome Barson. Aksidenti ka ndodhur në zonën e Palm Beach (Florida) dhe policia ka deklaruar sot, përmes një video të postuar edhe në rrjetet sociale, se tenistja amerikane ka hyrë në kryqëzim me semaforin jeshil. “Makina e Venus Williams hyn në kryqëzim, duke respektuar përparësinë, me semaforin jeshil”, thuhet në deklaratën e policisë.
Pavarësisht se aksidenti ndodhi më 9 qershor, Jerome Barson ndërroi jetë më 22 qershor, ndërkohë që makina ku ndodhej viktima pilotohej nga bashkëshortja e tij, Linda. Policia sqaroi se aksidenti është provokuar nga një makinë e tretë, që i preu rrugën makinës së Venus. Gjithsesi, policia e Floridës deklaroi se vazhdojnë hetimet, por se tenistja 36-vjeçare nuk është e akuzuar për asnjë vepër penale, ndryshe nga sa ishte thënë më parë. Tenistja amerikane është kualifikuar dje për në raundin e katërt të Wimbledon.