Ministria e Drejtësisë ka nisur zbatimin e projektit për të vendosur pajisje të posaçme për verifikimin e shenjave të gishtit në zyrat noteriale.
Pak muaj më parë ministri i Drejtësisë Ylli Manjani deklaroi se ka nisur puna në bashkëpunim me shoqatën e noterëve për të realizuar procesin. Teksa mësohet se tashmë në kryeqytet janë pajisur 20 zyra me këtë pajisje. Brenda vitit pritet që në Tiranë këtë shërbim ta kenë të gjithë zyrat noteriale, teksa në vitin e ardhshëm projekti do të përfshijë të gjithë Shqipërinë, duke vijuar në qytetet e mëdha dhe më pas në çdo zyrë.
Shkak për këtë vendim duket se janë marrë proceset e hapura në gjykatë, ku palët pretendojnë se dokumentet janë nënshkruar pa praninë e tyre, duke hedhur akuza dhe për falsifikim. Në këtë mënyrë, noterët përpara se të firmosin një shkresë, apo të plotësojnë një procedurë do të detyrohet të marrin shenjat e gishtave të klientëve. Në rast se një veprim i kryer në zyrat noteriale do të atakohet në gjykatë, atëherë faktet do të jenë lehtësisht të krahasueshme.
Kjo pasi të dhënat e regjistruara në momentin e firmosjes para noterit do të krahasohen me shenjat e gishtave të dhëna në momentin e marrjes së kartës së identitetit apo dhe të pasaportës. Kryesisht më problematike janë parë rastet e shitblerjes së pronës apo dhe të trashëgimisë së pasurive të paluajtshme. Por dhe në rastin e shitblerjes së automjeteve, apo garantorëve të kredive janë hasur probleme në gjykata. Si pasojë e shkeljeve në vite, në ZRPP janë krijuar një numër i konsiderueshëm i pronave me mbivendosje.
Tashmë në zyrat e noterëve ka nisur dhe zbatimi i projektit për të verifikuar në kohë reale situatën e një pasurie për të cilën nis një transaksion shitblerje. Procedura do të jetë e vlefshme dhe në rastet kur prona lihet kolateral në banka. Nëpërmjet aksesimit në rrjetin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurie të Paluajtshme, një noter ka të drejtën që të kërkojë dhe bllokimin e veprimit në një pronë, kur palët paraqiten për të firmosur shitblerjen.
Në këtë rast, pas kërkesës on-line, do të duhet që noteri të paraqesë dhe dokumentet shkresore. Një veprim i tillë shmang mundësinë e përsëritjes së mbivendosjeve mbi një objekt apo sipërfaqe, apo dhe të krijimit të përplasjeve të reja. Gjithsesi, duke parë dhe lehtësitë e krijuara për noterët, është vendosur regjistrimi i shenjave të gishtave të klientëve, për të shmangur abuzimet por dhe për të provuar në gjykatë shkelësit, në rast se do të ketë. /Shekulli





