TIRANË-Reshjet e borës vijojnë të bien me intensitet edhe gjatë ditës së sotme, kryesisht në zonat veriore dhe ato juglindore të vendit. TvNews24 bën të ditur se shumë zona janë bllokuar nga bora, ndërsa nuk kanë munguar dhe problemet në qarkullimin rrugor.
KUKES -Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë që nga orët e para të mëngjesit zonën verilindore duke sjellë edhe ribllokimin e disa prej akseve kryesore rrugore. Situata rëndohet edhe më tepër si pasojë e shtresave të akullit që kanë vështirësuar lëvizjen e mjeteve edhe në autostradën e Kombit.
Trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit ka arritur në 30 centimetra, ndërsa në zonat rurale deri në 70 centimetra. “Kjo ka sjellë edhe bllokimin e shumë zonave të rajonit. Kështu, janë të izoluar komunat e Arrnit, Kalisit, Grykë Cajës, Zapodit, Ujmishtit, Bushtricës, Shishtavecit e Topojanit në rrethin e Kukësit, Margegajt edhe Lekbibajt në rrethin e Tropojës”, thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Për mbajtjen nën kontroll të situatës në akset kryesore rrugore në qarkun e Kukësit vazhdojnë të punojnë 33 borëpastrues, por edhe pse po punohet pa ndërprerje, situata po përkeqësohet pasi vazhdojnë reshje të dendura dëbore.
Segmenti i autostradës Morin – Kukës – tunel është i kalueshëm, por përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm. Ndërsa janë ribllokuar akset kryesore rrugopre si Kukës – Qafë Shllak, Fierzë – Qafë Mali, Kukës – Peshkopi, Kukës – Shishtavec dhe Krumë – Bajram Curri. Janë të kalueshëm me vështirësi akset rrugore Kukës –Krumë, Krumë – Qafë Prush, Bajram Curri- Qafë Morinë.
PUKË -Në zonat e Pukës, stuhia e borës ka shkaktuar probleme me energjinë elektrike. Në Iballë, janë rrëzuar 27 shtylla elektrike duke lënë pa energji në këto ditë të ftohta dimri shumë fshatra në këtë komunë.
Në Pukë dhe zonat e saj të gjitha rrugët rurale janë të bllokuara.
Për momentin edhe rruga nacionale Peshkopi-Qafë Buall e pakalueshme. Rrëshqitje dheu dhe në komunën Ostren, gjysma e komunës pa energji
KORCË -E rënduar paraqitet situata në Korcë. Në sajë të punës së drejtorive rajonale të rrugëve janë të hapura dhe kalueshme me zinxhirë akset kryesore si Korcë-Voskopojë, Korcë-Kapshticë, Korcë-Qafë e Thanës, Korcë-Leskovik.
Por reshjet e borës vijojnë të bien me intensitet dhe pritet që situata të rëndohet. Bora rreth gjysëm metri ka bllokuar ndërkohë aksin Korcë-Dardhë.
ELBASAN -Ndërkohë reshjet e shiut dhe stuhia me erë kanë shkaktuar rënie të gurëve nga faqet malore buzë rrugëve nacionale duke shkaktuar probleme në akset, Elbasan-Librazhd, Librazhd Qendër-Qarrisht, Lunik-Stëblevë.





