27 nëntor 2014 –   Performanca me ekipin kombëtar shqiptar duket se ka ndryshuar fatin e Ermir Lenjanit. Tani është Hellas Verona që bën një ofertë zyrtare. Klubi i Serie A ka ofruar 1 milionë franga zvicerane, pak më shumë se 1 milionë dollarë për shqiptarin, po ky i fundit ende nuk ka vendosur sepse më parë do të shohë të gjithë ofertat dhe më pas do të vendosë së bashku me klubin e St.Gallenit. Ermir Lenjani prej kohësh është në qendër të vëmendjes së shumë skuadrave europiane këto ditë pas paraqitjeve të mrekullueshme që ka dhuruar me Kombëtaren kuqezi në ndeshjet e fundit me Danimarkën, Italinë dhe Francën. Në ndeshjen me Italinë mesfushori preshevar u ndiqet me vëmendje të veçantë nga drejtori sportiv i Hellas Verona, Sean Sogliano. Verona e drejtuar nga Andrea Mandorlini njihet në Itali si skuadra që ka sjellë lojtarë të panjohur, që më pas kanë shpërthyer me fanellën verdheblu duke arritur majat, shembuj të punës së shkëlqyer të Soglianos janë Iturbe, Martiç dhe Ionita. Lojtari i radhës që mendohet se do të jetë i Veronës e do të ndjekë të njëjtin rrugëtim mund të jetë Ermir Lenjani. Lojtari kombëtares shqiptare ka dhuruar paraqitje shumë pozitive me Shqipërinë dhe St Gallen në Superligën zviceriane, duke zgjuar interesimin e disa skuadrave në Itali dhe Gjermani. Të martën në mbrëmje, në ndeshjen miqësore Itali-Shqipëri 25 vjeçari Lenjani po vëzhgohet imtësisht nga Verona. Kontrata e Lenjanit me St.Gallen përfundon pas 6 muajsh dhe futbollisti do të jetë i lirë të transferohet kudo. Goli me Danimarkën, ndeshja e përsosur me Francën por dhe ajo me Italinë, kanë bërë që lojtari të kërkohet jo vetëm nga klube të Serisë A por gjithashtu dhe nga ato të Bundesligës. Në fakt interesi për të nga skuadrat gjermane ishte ndezur prej kohësh, por tashmë ka lëvizje konkrete nga disa prej tyre. Shtutgart dhe Këln duket se qëndrojnë në pole-position. Këln ka marrë jo pak informacion dhe nga ana e shqiptarit tjetër që luan në “Rhein Energie Stadion”, Mërgim Mavraj ndërsa Shtutgarti, që është në krizë rezultatesh, synon përforcime që në janar për të siguruar qëndrimin në Bundesligë dhe Lenjani mund të ishte një futbollist që mund t’i bënte punë sidomos në lojën nga krahët. Gjithashtu e interesuar është shfaqur dhe ekipi i Eintraht Frankfurt. Merkatoja e janarit duket se do të shënoj dhe fundin e eksperiencës së Lenjanit në kampionatin zvicerian, e ardhmja e tij është ndërmjet Italisë, Gjermanisë dhe Anglisë. Priten zhvillime interesante në ditët në vazhdim.