05 janar 2015 – Skuadra e Lacios ka refuzuar ofertën e Veronës për portierin kosovar Etrit Berisha. Sipas portalit “lazialita.com”, në javën e fundit të vitit 2014 përflitej për një interesim të Veronës për portierin kuqezi, por Drejtori Sportiv Igli Tare i ka thënë jo ofertës së Veronës. 25-vjeçari nuk aktivizohet rregullisht nën drejtimin e Stefano Piolit dhe duhet të ndajë vendin e titullarit me Federiko Marketin, çka normalisht ka sjellë edhe një lloj pakënaqësie nga ana e portierit shqiptar.
Kjo ka bërë që klube të ndryshe të interesohen për shërbimet e Berishës dhe i fundit në radhë ka qenë pikërisht Verona. Ndonëse është konsideruar si një nga portierët e rinj më të mirë në Serinë A, duket se “shpërthimi” i Federiko Marketit ka lënë në hije gardianin kuqezi. Kësisoj, referuar mediave italiane dhe jo vetëm, ka shumë mundësi që Berisha të largohet që në janar nga klubi roman, kjo natyrisht gjithnjë nëse në drejtim të klubit lacial do të shkojë një ofertë e mirë financiare. Madje së fundmi është përfolur edhe afrimi i Stefan Rufier, portier i Sen-Etienit në Francë, i cili do të ishte edhe zëvendësuesi i Berishës, nëse shqiptari do të largohet nga Lacio.
Berisha është aktivizuar në vetëm 4 ndeshje nga 16, duke humbur kësisoj “luftën” me Marketin, i cili preferohet më së shumti nga trajneri Stefano Pioli. Hera e fundit që portieri shqiptar është parë në portën e Lacios nga minuta e parë, ka qenë në ndeshjen Empoli-Lacio 2-1 të 9 nëntorit.





