3 dhjetor 2015 – Policia e Vlorës ka arrestuar dy shpërndarës të lëndëve narkotike. Xhezmi Zykaj 24 vjeç, banues në Fier dhe Emiljano Selmanaj 23 vjeç, banues në fshatin Patos të Fierit, u kapën në flagrancë gjatë orëve të mesnatës me 4.5 gramë kokainë në një disko në lagjen “24 Maji” pranë rrugës Transballkanike. Arrestimi i të rinjve erdhi pas një hetimi 3-mujor që policia nisi pas një denoncimi të marrë në portalin “Komisariati Dixhital”.
“Drejtoria e Policisë së Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë, në bazë të një ankese të ardhur në Portalin “KOMISARIATI DIXHITAL” me temë “Në lokalin Versaçe shpërndahet drogë”, menjëherë kanë nisur veprimet dhe gjatë një hetimi 3-mujor në drejtim të Parandalimit të Prodhimit dhe Shitjes së Lëndëve Narkotike, kanë bërë të mundur finalizimin e këtij Operacioni në një nga diskot e qytetit të Vlorës”, njofton policia.
Sipas të njëjtave burime, mësohet se gjatë periudhës kohore që këta persona kanë qenë nën hetim, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin shpërndarjen dhe shitjen e lëndës narkotike “kokainë” në dy pikat kryesore: në lokalin “Versaçe-1” (përballë Stadiumit) dhe në “Versaçe-2” (Disko në Transballkanike).
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre në lagjen “24 Maji”, të cilën e kishin marrë me qira u gjet dhe u sekuestrua:
– 4.5 gramë lëndë narkotike “Kokainë”,
– 2.8 gramë lëndë narkotike “Cannabis sattiva”,
– 122 fishekë zhurmues (manovër),
– 5 aparate celularë,
– si dhe një automjet tip Audi-TT me targë: BS679YZ (në pronësi të Emiljano Sulejmani-t).
/portali DurresLajm/