Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime në gjithë territorin e Kosovës, duke përmbytur dhjetëra shtëpi e biznese dhe duke detyruar autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në dy komuna.
Për shkak të situatës, është shtyrë fillimi i procesit mësimor në shkollat e zonave më të goditura.
Një nga vatrat kryesore të krizës është Komuna e Rahovecit, ku niveli i ujit ka hyrë në banesa dhe ka dëmtuar rëndë infrastrukturën familjare.
Në fshatin Fortesë, ujërat kanë përmbytur katin e parë të shtëpisë së Fatmir Popajt, duke i shkatërruar pothuajse të gjitha pajisjet shtëpiake. “Vërshimet kanë nisur në mëngjes dhe uji hyri menjëherë brenda. Askush nuk erdhi të na shohë. Prej mëngjesit deri në orën 14:00 kemi qenë vetëm duke pastruar, por kemi frikë se uji mund të rikthehet sërish”, shprehet ai.
Shërbimet e zjarrfikësve dhe ekipet e mbrojtjes civile kanë ndërhyrë në disa zona për evakuime dhe largimin e ujit, ndërsa qeveria pritet të vlerësojë sot shtrirjen e dëmeve dhe nevojën për fonde emergjente.
Situata mbetet kritike në disa komuna të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Anamoravës, me paralajmërime se reshjet mund të vazhdojnë edhe në orët e ardhshme.





