Në portin e Durrësit mëngjesin e sotëm kanë zbarkuar rreth 700 turistë të huaj, kryesisht amerikanë e britanikë. Në kalatën numër 5 u ankorua kroçera “Princendam” me 669 udhëtarë. Pjesa më e madhe e turistëve kanë preferuar të qëndrojnë në qytetin e Durrësit, ku kanë vizituar objektet historike e arkeologjike si Rotondën, Muzeun Arkeologjik e Amfitetarin Romak. Turistët janë mrekulluar me klimën e ngrohtë që ka Durrësi në këtë fund Shtatori.
Sipas të dhënave të agjencisë “Drianbra” kroçera me flamur hollandez ka një gjatësi 204 metra dhe është ankoruar disa herë në portin më të madh të vendit tonë. Gjatë këtyre dy javëve, kroçera ka lundruar në disa porte të Mesdheut. Sot anija ka mbërritur nga Napoli (Itali) në Durrës dhe pas një qëndrimi 10-orësh në Durrës do të niset drejt portit të Korculas (Kroaci). Ndërsa ditën e mërkurë, në orët e para të mëngjesit, në kalatën 5 do të ankorohet kroçera “Ocean Majesty”.
Nga drejtuesit e agjencisë “KAD” mësohet se anija turistike me flamur portugez do të sjellë në Durrës 272 udhëtarë nga vende të ndryshme. Kroçera do të lundrojë nga Korfuzi drejt Durrësit dhe po të mërkurën në mbrëmje do të vazhdojë udhëtimin turistik. Pjesa më e madhe e turistëve janë shtetas gjerman (234 vetë) dhe austriakë (28 vetë), por nuk mungojnë edhe turistë nga Danimarka, Hungaria, Italia, Hollanda, Ukraina dhe Britania e Madhe.
Autoriteti Portual i Durrësit ka marrë masat për ankorimin e kroçerave dhe mikpritjen e turistëve. Menjëherë pas mbërritjes, turistët e organizuar në autobuzë do të nisen drejt qyteteve historike të Beratit dhe Tiranës, ndërsa një pjesë do të vizitojnë qendrat muzeale të qytetit të lashtë të Durrësit.





