Nuk ishte një fundjavë e lehtë kjo që lamë pas për pilotin Max Verstappen dhe Red Bull-in. Skuderia kishte pritshmëri të mëdha përpara Çmimit të madh të Hungarisë, që përbënte raundin e 13-të të Kampionatit Botëror të Formula 1.
Përditësimet në makinën e kampionit në fuqi nuk dhanë rezultatet që priteshin. Në fund të garës, McLaren rezultoi makina më e mirë, siç u dëshmua nga dyshja Piastri-Norris, të cilët u renditen në dy vendet e para.
Në të njëjtën kohë, Verstappen u tradhtua nga nervat, duke u përplasur me Lewis Hamilton. Si pasojë përfundoi në vendin e pestë, pas Ferrarit të Charles Leclerc.
Të shumta ishin kritikat për 26-vjeçarin për sjelljen kundrejt skuadrës së tij. I pyetur në përfundim të garës, kampioni i trefishtë i botës reagoi ashpër përpara kamerave.“Mund të dalin të gjithë dhe të flasin për mua. Hodhën shumë baltë mbi emrin tim në garën e kaluar. Për mua lë të shkojnë në ferr… Nuk më intereson aspak”.
Për përplasjen me Lewis Hamilton, çka rëndoi edhe pozitën e tij në garë, Verstappen u shpreh:“Ai më bllokoi! Po mundohesha të lëvizja, por pashë që makina e tij vazhdonte të vinte drejt meje. Do të ishim përplasur më herët nëse unë nuk do të manovroja”, përfundoi deklaratën e tij piloti holandez.