TIRANE– Megjithëse u mbyll 3 ditë më parë, festivali i këngës në RTSH vazhdon të ngjallë polemika dhe pakënaqësi. Një nga të fundit që ka shprehur zhgënjimin e saj nga ky festival i përvitshëm ka qenë këngëtarja kosovare Vesa Luma. E mbetur e pakënaqur me rezultatin përfundimtar Luma ka shprehur zemëratën e saj në faqen zyrtare në Facebook. Mbasi përgëzon fituesit e çmimit të parë, Luma falenderon edhe fansat për mbështetjen e dhënë.
“Ju falemderit me shumë sinqeritet për të gjithë mbështetjen që mora nga ju gjithë këtë kohë. Ndihem krenare që ju kam përfaqësuar me një këngë moderne sepse në zemrën time dhe tuajën Shqipëria dhe Shqiptarët janë më modernë – ajo që na veçon më shumë nga fqinjët ballkanik, por fatkeqësisht doli të ishte kompeticioni i gabuar apo i dështuar pas gjithë skandaleve që ndodhën këto ditë e që na vunë në situata të këtilla. Por, sinqerisht me që është më shumë kompeticion kompozitorësh, dua ta falënderoj jashtë mase Florent Boshnjakun, kompozitorin e kësaj këngë që vjet e ngriti Shqipërinë në vend të 5 në Eurovision dhe Big Bastan që përveq tekstit perefkt ishte mbështetja dhe forca ime!” “I uroj sukses këngës fituese duke shpresuar që të ngrejnë më lartë pozicionin e muzikës shqiptare në Evropë. Me respekt dhe shumë dashuri – Vesa Luma”,- ka shkruar ajo në faqen e saj në Facebook.