14 shtator 2013 – Mbledhja e Kuvendit të ri të Shqipërisë, këtë vjeshtë në Tiranë, është përjetuar në vetvete si një parakalim spektakolar mbi tapetin e kuq nga zonjat e njohura të politikës, të cilat në këtë përballje të parë me njëra-tjetrën kanë konkurruar me veshjet. 
Politikanet që njihen për kujdesin që i kushtojnë look-ut të tyre çdo ditë të vitit, por edhe manisë së theksuar për t’u prezantuar me veshje sa më të zgjedhura dhe të veçanta që i përshtaten stilit personal të tyre, kanë pasur një rast vendimtar për t’u prezantuar me veshje të modës së fundit, “firmë” nga koka të këmbët. Majlinda Bregu, Monika Kryemadhi, Lindita Nikolla, Arta Dade, Mesila Doda, Valentina Leskaj, Klajda Gjosha etj., janë prezantuar me veshje të shtrenjta, njësoj si yjet e Hollywood-it, kur mblidhen për çmimet “Oscar”. 
Zonjat politikane dhe deputetet e Kuvendit të ri nuk janë kursyer në ngjyra apo grim profesional. Vihet re që në këtë parakalim inaugurues edhe për qeverisjen e re të koalicionit të majtë, ato kanë preferuar veshjet me lule, ngjyrën e kuqe dhe pink në fustanet apo kostumet e tyre. Ndoshta kjo nuk ka qenë e qëllimtë, pasi më shumë sesa t’u përshtateshin simbolikës së ngjyrave të partive që përfaqësojnë, kanë lakmuar të shfaqen sa më “in” dhe avangardë me modën e stilistëve të njohur në botë. 

/Panorama PLUS/