Perspektiva ekonomike e të rinjve në Serbi dhe Shqipëri mbetet e kufizuar dhe shpesh është faktori kryesor që i pengon ata të pavarësohen më herët në të njëzetat e tyre.
Nga: Katarina Baletic & Nevena Petakovic në Beograd dhe Teodor Gjerga në Shkodër
Largimi nga shtëpia kërkon shumë llogaritje, planifikim, nganjëherë edhe rastësi fatsjellëse, e po ashtu edhe duhet shtyrë disa herë nëse je i ri ose e re në Serbi ose në Shqipëri. Shpesh me paga të ulëta dhe të paqëndrueshme, të rinjtë që duan të bëhen të pavarur – të jetojnë vetëm ose me një partner – mundohen shumë që t’ia dalin në krye. Disa vendosin të presin për një kohë më të përshtatshme, ndërsa të tjerët zgjedhin ta mbingarkojnë veten me punë.
Për Marinën 26 vjeç, arritja e pavarësimit tri vite më parë ishte një përpjekje shumë kërkuese. Duke kujtuar përvojën e saj, si dhe gjërat që i kanë treguar shokët dhe kolegët e saj që kanë kaluar nëpër të njëjtën gjë, ajo thekson vështirësitë financiare të të rinjve në Serbi.
“Të rinjtë janë të kushtëzuar të punojnë si vullnetarë dhe të bëjnë punë që paguhen pak. E pastaj shtrohet pyetja se pse të rinjtë po e lënë vendin. Është e pamundur ta marrësh me qira një apartament në Beograd, të jetosh e pavarur, dhe të gjesh punën e parë nëse paga mesatare për fillim është 40,000 dinarë (340 euro),” tha Marina, që punon si redaktore e një reviste për të rinjtë dhe që po mbaron doktoratën në artet dramatike.
Kombinimi i punës dhe studimeve dhe jetesa në kryeqytetin e Serbisë duket e arritshme për të për shkak të asaj që ajo e quan “rrethanë fatlume” e ajo është mundësia e prindërve të saj që t’i ofrojnë një apartament. Ajo shtoi se ecuria e marrëdhënies së saj “përkoi mrekullisht” në aspektin kohor dhe ndikoi që ajo të marrë vendimin për t’u larguar nga prindërit e saj.
“Kjo më bëri ta inkurajoj veten që të bëhem e pavarur, sepse më pas ti nuk je vetëm, je në krah të një personi tjetër dhe nuk është e vështirë. Përfundimisht, nëse do ta kisha marrë vendimin vetëm, kjo do të kishte ndodhur shumë më vonë, sidomos në sensin ekonomik,” shpjegoi ajo.
Vështirësitë e ngjashme financiare lidhur me fillimin e jetesës si i rritur jashtë shtëpisë së prindërve të tij janë të njohura për 31 vjeçarin Ersi nga Shkodra, qytet në Shqipëri. Ai dhe gruaja e tij, të martuar para gjashtë muajve, tani duhet të bëjnë tre punë për të mbuluar kostot mujore të jetesës dhe nganjëherë, siç tha ai, edhe kjo nuk mjafton.
“Si çift i ri, kemi një qira për të paguar në fund të muajit. Për mua, është e pamundshme të mbuloj shpenzimet mujore me dy paga,” tha Ersi, duke shtuar se me kaq shumë punë që duhet bërë, mbetet shumë pak kohë për të kaluar kohë cilësore me gruan e tij.
Dëshirat dhe realiteti
Pas përfundimit të edukimit formal, gjasat për të gjetur një punë që paguhet mirë dhe për t’u larguar nga shtëpia e familjes nuk janë aq të lehta në këto dy shtete të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e Eurostatit tregojnë se në Serbi, një i ri është mesatarisht 31 vjeç kur vendos të largohet nga shtëpia e prindërve, që është dukshëm mbi mesataren, meqë në Bashkimin Evropian një person rreth 26 vjeç largohet nga shtëpia e prindërve të tij. Për Shqipërinë nuk kemi ndonjë kërkim në dispozicion që do të na tregonte moshën mesatare të një personi kur largohet nga shtëpia e prindërve, por disa studime kanë sugjeruar se është diku midis 26 dhe 29 vjeç.
Studiuesi nga Fondacioni për Avancimin e Ekonomisë me bazë në Beograd, Nemanja Vuksanović, shpjegoi se si kushtet ekonomike dhe kompensimet e papërshtatshme i bëjnë të rinjtë të ndihem financiarisht të dobët.
“Edhe kur e gjejnë një punë, të rinjtë përballen me qëndrime të ndryshme negative në aspektin e pagës, kontratave që lidhin dhe kërkimi ka treguar se të rinjtë në Serbi, pasi gjejnë një punë, përballen me paga shumë më të ulëta se paga mesatare që merr popullata e punësuar, dhe kjo diferencë arrin deri në 40 për qind,” tha ai duke shtuar se të rinjve zakonisht u ofrohen kontrata me kohë të caktuar, ata punojnë pas orarit të punës pa u paguar dhe shpesh punësohen në sektorin joformal, e si rrjedhim nuk kanë mbrojtje nga shteti në aspektin e kujdesit shëndetësor dhe social.
“Pas përfundimit të procesit shkollor, një të riu në Serbi i duhen gati dy vjet për të gjetur punën e parë stabile. Në Bashkimin Evropian, një i ri gjen vendin e parë cilësor të punës mesatarisht pas shtatë muajsh. Për sa i përket vendeve në rajon, pra vendeve të Ballkanit Perëndimor, situata është e ngjashme me atë të Serbisë lidhur me këta tregues,” vërejti Vuksanović.
Ekonomisti dhe psikologu Altin Nika nga Tirana shpjegon se si të rinjtë natyrisht që dëshirojnë të arrijnë vetë-aktualizimin dhe të pavarësohen ose të krijojnë familjen e tyre, por këto dëshira nuk përputhen me parakushtet e nevojshme.
“Është më se normale në botë që në moshën 18 vjeç ti dëshiron të shkosh dhe të largohesh nga gjiri familjar dhe të ndërtosh jetën tënde,” tha ai. “Ajo që bën dallimin midis një të riu në Evropë që e ka mundësinë të bëhet i pavarur dhe një të riu në Shqipëri është se ky i fundit nuk e ka mundësinë për ta bërë këtë. Kjo ndodh për shkak të arsyeve ekonomike; për shkak të arsyeve sociale por mbi të gjitha, ekonomike.”
Në raste të tilla, shtoi Nika, shumë të rinjve në Shqipëri që në rastin ideal do të ishin të pavarur nëse parakushtet ekonomike do të ishin më të mira, prindërit ende u ofrojnë komfortet bazë, si pagesën e faturave të telefonit dhe ofrimin e parave të xhepit për jetë sociale.
“Në mes të zgjedhjes së një bote ku është komplet e pasigurt se si do të jetë të jesh i vetëm të nesërmen, shumë të rinj frikësohen dhe qëndrojnë në gjirin e familjes, ku nuk paguajnë qira, e ndajnë ushqimin bashkë me familjen e tyre. Në rast se punojnë dhe kanë një pagë të ulët, ata e kombinojnë pagën ose pensionin e prindërve dhe në njëfarë forme shpenzimet janë më të ulëta dhe kanë më shumë liri. Nëse i pyet, sigurisht që dëshira e tyre është të jenë të pavarur.”
Perspektiva e punësimit dhe akomodimit
Mungesa e kompensimit adekuat për të përballuar një njësi familjare dhe vendet e punës që nuk paguhen mjaftueshëm janë pengesat kryesore për pavarësimin e të rinjve, rikonfirmoi Jovana Bozičković nga Këshilli Kombëtar i Të rinjve i Serbisë. Përveç tyre, shtoi ajo, është edhe mungesa e fondeve publike shtetërore dhe e një politike të sistematizuar shtetërore për këtë çështje, dhe në të njëjtën kohë kushtet e pasigurta të punës.
“Të rinjtë zakonisht nuk kanë kontratë punësimi, e edhe kur e kanë, ajo zakonisht është për një periudhë të caktuar kohore,” tha ajo duke u shprehur se kontratat e shërbimit special dhe bursat, si dhe pagesat e paregjistruara ose në para të gatshme janë të shpeshta kur jemi te burimet e të ardhurave për të rinjtë në Serbi.
“Ajo që është shumë me rëndësi është fakti se vetëm 15 për qind e të rinjve kanë të ardhura mbi pagën mesatare në Serbi dhe rreth 20 për qind e të rinjve kanë të ardhura, që do të thotë se gati 60 për qind e të rinjve nuk kanë të ardhura,” tha Bozičković, duke kujtuar rezultatet nga “Raporti alternativ për pozitën dhe nevojat e të rinjve në Republikën e Serbisë 2021”.
Raporti tregoi se vetëm 10 për qind e të rinjve jetojnë në apartamentin e tyre, se pjesa më e madhe e të rinjve (65 për qind) jetojnë në apartamente familjare dhe se më shumë se 20 për qind e tyre jetojnë me qira.
Kërkimi “Youth in Serbia” (Të rinjtë në Serbi) i publikuar nga Fondacioni Friedrich Ebert në vitin 2019, tregoi se 76 për qind e të rinjve të moshës 18-29 jetojnë me njërin prind ose me të dy. Ky grup tregoi se kjo ndodhte për shkak të burimeve të kufizuara financiare në dispozicion. Të dhënat për Shqipërinë tregojnë se 82 për qind e të rinjve jetojnë me prindërit e tyre.
Më shumë se një e pesta e të papunëve në Republikën e Serbisë janë të rinj nga mosha 15 deri në 30. Sipas të dhënave zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Serbi, numri i të rinjve që ishin të papunë në prill 2021 ishte 115,533, që përbën rreth 21 për qind të numrit total të të papunëve në vend. Krahasuar me vitin e kaluar, papunësia e të rinjve është rritur për 10 për qind. Në Shqipëri, 19,9 për qind e të rinjve (të moshës 15-29 vjeç) janë të papunë dhe papunësia e përgjithshme në vend është 11,6 për qind.
Kostoja e jetesës
Paga mesatare për gusht 2021 në Serbi ishte 64,639 dinarë [550 euro]. Paga mesatare neto për të njëjtën periudhë arrinte në 49,933 dinarë [425 euro], që do të thotë se 50 për qind e të punësuarve fitonin deri në shumën e mësipërme. Pjesëmarrja e të rinjve në fuqinë punëtore në Republikën e Serbisë është shumë e ulët sipas standardeve evropiane. Sipas Strategjisë së punësimit në Republikën e Serbisë për periudhën 2021-2026, të publikuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, NEET (të rinjtë që nuk janë të punësuar, që nuk janë në proces shkollimi ose trajnimi) ishte 18,9 për qind në 2019 dhe kishte pësuar rënie për 5,6 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2015.
Kalimi nga shkolla te puna e parë stabile në Serbi merr shumë kohë, gati dy vite. Është kohë shumë e gjatë krahasuar me 6,5 muaj, sa është koha gjatë së cilës një i ri në BE gjen punën e tij të parë pas përfundimit të shkollimit. Koha më e gjatë e kalimit në punësim ka ndikim tek mosha kur të rinjtë largohen nga shtëpia e prindërve dhe fillojnë jetën vetëm ose me një partner. Për momentin, kur fillojnë jetën e pavarur në Serbi, ata janë gjashtë vjet më të vjetër se të rinjtë e tjerë në BE.
Në tremujorin e dytë të vitit 2021, shkalla e punësimit për popullatën e moshës 15-64 vjeç ishte 61 për qind në Shqipëri. Gjatë këtij tremujori, numri total i të punësuarve u rrit me një për qind në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2020, dhe me 2.9 për qind krahasuar me tremujorin e parë të 2021. Shkalla e papunësisë ra për 2.5%, krahasuar me të njëjtin tremujor në vitin 2020 dhe me dy për qind krahasuar me tremujorin paraprak.
Jeta e pavarur është shumë e shtrenjtë
Ndonëse do të donte ta bënte këtë, Briani 26 vjeçar nuk e ka marrë ende hapin e madh të të jetuarit vetëm, i ndarë nga prindërit e tij. Edhe me dy puna ai nuk ia del dot të ketë të ardhura të mjaftueshme për të qenë i pavarur dhe për të ndërtuar i vetëm të ardhmen e tij.
“Nëse do të zgjidhja unë, do të jetoja vetëm, por këtu në Shkodër kjo është shumë e vështirë. Kam një punë të mirë por prapëseprapë nuk është e mjaftueshme sepse pagat në Shqipëri janë kaq të ulëta dhe nuk mund të jetoj me të,” tha ai duke shtuar se kur dikush jeton vetëm, siç do të dëshironte ai, ka obligime për të paguar qiranë, rrymën, ujin dhe faturat e tjera, e gjithashtu edhe ushqimin e gjëra të tjera që i duhen një personi.
“Po flas për dëshirën për të jetuar vetëm, sepse kur je në çift, ke edhe përgjegjësi të tjera dhe të duhet të fitosh më shumë. Në Shqipëri është e vështirë të arrihet kjo.”
Marrja me qira e një banese në Shkodër kushton 12,000 deri në 18,000 lekë shqiptare [100 – 150€] ndërsa në kryeqytet, në Tiranë, kjo arrin në 200-250€. Paga mesatare bruto në Shqipëri në sektorin publik është rreth 550€ ndërsa në sektorin privat 410€. Paga mesatare në Shqipëri është 245€.
Për gastronomin e diplomuar 27 vjeçar Miloš nga Beogradi, është e njëjta situatë. Gjetja e një punë në profesionin e tij nuk është e vështirë për të, por ajo që mund të fitojë është e pamjaftueshme sepse për të fituar mjaftueshëm duhet të investohet shumë kohë, e kjo e largon nga koha cilësore për veten e tij, për miqtë dhe familjen.
“Të rinjtë në Beograd në përgjithësi nuk mund të punojnë për më pak se 80-90 mijë dinarë [680 – 765 euro] nëse duan të bëhen të pavarur. Çdo shumë nën këtë nuk mjafton për një jetesë të pavarur. Kur të rinjtë kuptojnë se sa kushtojnë vetëm faturat në Beograd dhe kur pjesa tjetër e pagës mjafton vetëm në ushqime, ata shkurajohen nga largimi më vete dhe fillimi i jetesës si të pavarur,” tha ai.
Jetesa e pavarur për 24 vjeçaren Olivera në Beograd, studente e programit Master në kimi, do të thotë se ajo duhet të mbështetet vetëm tek vetja për financat dhe mbajtjen e shtëpisë. Duke jetuar ende me prindërit e saj dhe e ngarkuar me obligimet e fakultetit, ajo akoma nuk ka filluar të kërkojë punë.
“Është disi e natyrshme që pas moshës 25 vjeç, kur diplomon nga kolegji dhe vendos se çfarë dëshiron të bësh në jetë, gjen një punë, jeton e ndarë nga prindërit dhe nuk je e varur financiarisht ,” tha Olivera, por shtoi se të rinjtë në Serbi nuk janë të trajnuar mjaftueshëm gjatë studimeve se si menjëherë të kalojnë në kërkimin e punës.
“Profesorët dhe mentorët do të mund të na shpjegonin se si t’ia dalim më lehtë pas përfundimit të kolegjit dhe kujt t’i drejtohemi,” tha ajo duke shpjeguar se si ajo i sheh financat si pengesën kryesore për të filluar një jetë të pavarur.
“Sa kam dëgjuar, shteti ka filluar me programin ‘My First Salary’ (Paga ime e parë) për të diplomuarit që nuk kanë përvojë pune ose që kanë deri në gjashtë muaj përvojë pune, por për mendimin tim kjo nuk është e mjaftueshme. Programi mund të na ofrojë punën dhe pagën e parë, por nëse ajo pagë është minimale, nuk mund të bëhesh i pavarur në kuptimin e mbulimit të pagesës për një apartament, faturave, jetës në Beograd ose ndonjë qytet më të madh,” tha Olivera.
Ajo vërejti se shumë nga kolegët e saj, familjarët e të cilëve nuk jetojnë në Beograd por i financojnë studimet e tyre, nganjëherë i zgjasin studimet e tyre për të qëndruar në konvikt. Për të ideja e largimit nga prindërit e saj dhe e marrjes me qira të një vendqëndrimi vetë në qytetin e saj të lindjes vjen disi më pak stresuese se sa për bashkëmoshatarët e saj, që familjen e kanë diku tjetër.
“E kam sigurinë që edhe nëse gjërat nuk shkojnë mirë me punën, unë kam se ku të kthehem,” vërejti Olivera.