Gjërat po vështirësohen për ish presidentin amerikan Donald Trump.
Një gjykatës hodhi poshtë kërkesën e tij për të bllokuar dëshminë e ish-avokatit të vet Michael Cohen dhe aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels në gjyqin e tij lidhur me akuzat se Cohen i kishte dhënë në emër të tij para aktores Daniels në këmbim të heshtjes së saj para zgjedhjeve të vitit 2016. Argumenti që Trump paraqiti para gjykatësit Juan Merchan ishte se Cohen gënjen vazhdimisht ndërsa Daniels, sipas fituesit të biletës republikane për të kandiduar në presidencialet e nëntorit- do të përpiqej ta përdorte procesin gjyqësor për të nxjerrë fitime nga vënia në qendër të vëmendjes prej tij.
Por Merchan u shpreh se nuk ishte në dijeni të ndonjë baze ligjore për të përjashtuar një dëshmitar të akuzës për shkak të pikëpyetjeve mbi besueshmërinë e tij. Trump këmbëngul në pafajësinë e tij për 34 akuzat, sipas së cilave ai kishte falsifikuar të dhënat e biznesit për të fshehur faktin se kishte rimbursuar ish-avokatin Cohen për shumën që i kishte paguar Daniels në këmbim të heshtjes së saj për një raport intim që ajo thotë se kishte pasur me Trump në 2006. Ish-presidenti e mohon një raport të tillë.
Një gjyq për këtë çështje ishte caktuar fillimisht për më 25 mars, por u shty javën e kaluar për të paktën deri në mes të prillit për shkak të një mosmarrëveshjeje të minutës së fundit. Kjo çështje është një nga katër paditë penale me të cilat përballet Trump që do të garojë sërish me presidentin demokrat Joe Biden për frerët e Shtëpisë së Bardhë.