Nga Kapiten Selim Allajbeu, (ish komandant i Bazës Detare Shëngjin)

DURRËS, 10 nëntor 2014– Pa pretenduar per ato cka do të them më poshtë rreth 3 vëllimeve të “Antologjisë së Detarisë Shqiptare”, duke mos e konsideruar veten kompetent në këtë drejtim, le ta quaj dicka dashamirëse dhe në formën e një promovimi shoqëror. “Antologjia e Detarisë Shqiptare” është një libër me vlera që i kushtohet jo vetëm atyre që shërbyen në det gjatë gjithë kohërave të dashuruar me detin, por gjeografia e kësaj dashurie përfshin gjithë trevat shqiptare, nga Ulqini në Himarë e Prevezë, nga Gjakova në Tepelenë, nga Shkodra në Ohër, nga Skrapari në Kukës, nga Vlora në Shijak, Kavajë e Tiranë, nga Fieri në Mirditë, nga Shëngjini në Sarandë, të gjithë trevat shqiptare që kanë lindur bij të detit, ku pa dyshim kryqendra mbetet Durrësi. Nuk ka gjë më të bukur se sa të lundrosh ne shtigjet e kujtesës së detarëve, nuk ka gjë më argëtuese e shlodhëse sesa të jetosh mes shokëve dhe kujtimeve për detin. Detarët tanë janë pjesë e një familje të madhe të lidhur përjetësisht me detin, pjesë e të së cilës është dhe zoti Shefqet Kërcelli. Ai u është gjendur pranë për dekada të tëra detarëve, tashmë në lundrimin e tij në detin e kujtimeve, duke ndjekur me kujdes proklladkën e kujtesës së detarëve. Doza e sinqeritetit, pastërtia e rreshtave dhe stili konciz e bëjnë autorin të vecantë në mënyrën se si shkruan. E bëjnë të besueshëm dhe komunikues për ato që pasqyron në tregime të jetuara, shoqëruar me album fotografish, me humorin dhe shijen e kripës, që karakterizon detarët, por duke i dhënë dicka nga vetja, duke i përsosur artistikisht mendimet e shprehura. Këta burra të moshuar dhe të rinj, që e lidhën jetën me detin, me një pasion të admirueshëm e të pashkëputur  në aktivitetin e tyre shumëvjecar e kthyen anijen në shtëpinë e tyre të dytë. Pra, detarët janë ata që përjetojnë dy dashuri, njëra është për detin dhe tjetra për familjen, të ndryshme nga njëra-tjetra. S’është e lehtë të jetosh në detin me dallgë të trazuara e furtune ku jeta dylufton me vdekjen, ku malli dhe dashuria për familjen është e madhe dhe ti je në distancë prej dhjetra, qindra e mijëra miljesh, larg saj. Për ta anija është shtëpia e dytë. Të punosh e jetosh në det është tepër e vështirë. I parë nga  bregu, vecanërisht në verë, në kohë plazhi, deti është mjaft tërheqës e romantik, por është krejt ndryshe deti i trazuar e me dallgë të fuqishme në kohë fortunali sic e quajnë detarët, aq më tepër të luftosh me dallgët në thellësi të oqeanit. Pikërisht këtu qëndron krenaria e detarëve në përballimin e lundrimeve të gjata dhe me det të trazuar. Puna e detarit nuk ka orar zyrtar, ajo nuk fillon në orën 08.00 dhe nuk nuk mbaron në orën 16.00, ajo zgjat me orë , me ditë, javë e muaj të tërë. Kujtojmë lundrimet e gjata për në portet e Polonisë, Gjermanisë, Suedisë, Hollandës, Kubës e Kinës, me një mesatare kohëzgjatje deri në 2.5 muaj. S’është e lehtë të kalosh varrin e anijeve, Gjirin e Biskajës, apo të lundrosh në oqeanin Atlantik, Indian e Paqësorin e Largët. Kujtojmë këtu lundrimin më të gjatë deri më sot nga anijet shqiptare, viti ‘93-‘94, atë të vaporit “Tirana”, me kapiten Alfred Semini, lundrim që zgjati 1 vit e katër muaj, ku u kalua për herë të parë kanali i Panamasë nga një anije me flamur shqiptar. Rrugët e shumta të Kinës e Kubës shoqëruar me vështirësitë e lundrimit, shpesh herë me stuhi e tajfune, por përgatitja dhe guximi i kapitenëve të talentuar si Haxhi Shehu, Teodor Muka, Qemal Hate, Resmi Shameti, Viron Sadiraj, e shumë e shumë breza kapitenësh,{të cilët jepen gjerësisht në libër}, triumfuan mbi vështirësitë. Për detarin nisja dihet, kurse kthimi varet nga shumë faktorë si, gatishmëria teknike e anijes, aftësitë e ekuipazhit, kushtet e motit, gjendja e detit dhe oqeanit në zona të caktuara dhe në kohë e stinë të ndryshme, etj. Do përmend vetëm dy episode tragjike të përshkuara në libër, mekaniku i anijes “Vlora” Hysen Xhixho, i bleu pajën e dasmës vajzës së vet dhe kthehet pranë familjes pas tre muajsh, por ndërkohë vajza e tij kishte ndruar jetë. A ka gjë më të dhimshme e tragjike se kjo!? Apo ngjarja me anijen “Vlora” ku kapiteni i saj Qemal Sharkiqi, që vuante nga pankreasi vdiq në moshën 40 vjecare. Trupin e të ndjerit e sollën me avion nga Spanja, ndërsa ekuipazhi me anijen kthehet i trishtuar në atdhe. Ka me dhjetra raste në libër ku detarët mbasi ktheheshin në atdhe krahas gëzimeve mësonin lajme të hidhura për vdekjen e prindërve, familjarëve ose të afërmëve të tyre. …Sipas zakonit të ulqinakëve detarët përcilleshin me buqeta me lule dhe priteshin po me buqeta me lule…Detari s’duhet të bëjë kompromis më detyrën e tij, se nga një nënvletësim ose lëshim i vogël varet jeta e gjithë ekuipazhit dhe fati i mjetit lundrues. Në libër përshkruhet me nota trishtuese mbytja e vaporit “Mati” në një kohë të keqe e fortunal në portin e Konstancës, Rumani. Fatmirësisht detarët shpëtuan falë përgatitjes së tyre detare e fizike, sakrificave të mëdha që ata bënë, por vdekjen e panë me sy. Natyrisht nuk është e lehtë të përfshish në tre vëllime jetën e stuhishme e plot sakrifica të detarëve në vite, aq më tepër kur duhet ta japësh atë në mjedisin dhe kohën e vet. Dhe nuk është rastësi që këtë gjë arriti ta bëjë me shumë kujdes, përkushtim, vullnet e dashuri, autori i dy përmbledhjeve të titulluara “Antologji e Detarisë Shqiptare”, zoti Shefqet Kërcelli, i cili tashmë është bërë miku më i afërt dhe më i dashur i detarëve. Si i tillë meriton respektin dhe mirënjohjen më të thellë. Miku i detarëve dhe prozatori Devolli në bashkëjetësën e tyre të gjatë këndojnë këngët e detit, të bindur se udhëtimi i Shefqetit nëpër kanalet e kujtesës së detarëve nuk do të ndalet në të ardhmen. Tashmë ai është në moshën dhe pjekurinë e duhur, ka energji të pashtershme dhe është i kompletuar për të na dhënë studime të tilla me vlera historiko-shkencore për kombin shqiptar.

I nderuar zoti Shefqet!

Jeta e detarit është sa e thjeshtë po dhe aq komplekse në të njëjtën kohë. Ajo ka një rezultante progresiste me prirje nga e vërteta, nga sinqeriteti, nga dashuria vëllazërore, me një bazë të shëndoshë të humanizmit aktiv. Vetëm në mjedisin detar mishërohet parimi,-“Një për të gjithë, të gjithë për një”, që në gjuhën e matematikës quhet Lemë,{ska nevojë për vërtetim}. Kujtojmë këtu se cmund të ndodhte nga gabimi i një pjesëtari të ekuipazhit në nëndetëse, nga gabimi i pjestarëve të zhytësave{polumbarëve}, po ashtu dhe në anijet e transportit, prandaj kërkohet përgatitje e lartë, përgjegjësi e përkushtim, humanizëm nga secili në detyrën e vet. Dhe detarët mbeten detarë, nuk janë qaramanë, por nuk janë as mburravecë nga ata që rrahin gjoksin. Ballin dhe gjoksin e detarit e rrahin erërat dhe stuhitë që lënë rrudha në ballin e detarit, në ndërgjegjen dhe kujtesën e tyre. Tek ata spikat kurajua dhe burrëria, guximi dhe qëndrueshmëria, ata dinë ta shohin vdekjen në sy pa u ankuar. Detarët janë njerëz me dinjitet, ata kanë shpirt fisnik, janë njerëz me zemër të madhe, të ciltër e bujarë. Fisnikëria e detrëve nuk njeh kufij!…Lum kush bëhet mik i detarëve! Për këto cilësi dhe vlera të detarëve nuk do mjaftonin vëllime të tëra, ndaj është nder dhe detyrë fisnike për çdo njeri të ndershëm të shkruajë e plotësojë biografinë e detarëve, prandaj bashkohem me thirjen tuaj drejtuar kujtdo, që dëshiron të bashkëpunojë në këtë drejtim. Si detar e poet, tashmë mund t’ju drejtohem: – I dashur miku im! Të shkruash është gjëja më e vështirë në jetë, sepse lypset vullnet, durim, përkushtim, karakter i fortë dhe i qëndrueshëm. Ti këto cilësi i ke. Karakteri nuk është produkt bankar, por produkt i zemrës dhe shpirtit të njeriut që merr përgjegjësi të mëdha mbi veten. Unë të përgëzoj sepse ke krijuar profilin tënd, ke gjetur rrugën e integritetit tënd, ke gjetur dashamirësit dhe bashkëpunëtorët e tu, që do i kesh pranë kurdoherë. Ah! se harrova. Nuk më harrohet 25 gushti i 2012, kur Profesori i Historisë të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte me pushime në Shëngjin, rastësisht mbasi u njoh me vëllimin e parë të Antologjisë më tha:- Kush është ky person? Ky e meriton titullin hero, për këtë punë që ka bërë! Natyrisht unë i sqarova kush jeni. S’ta them këtë që të rritet mendja. Ne detarët presim përsëri vepra të reja nga ju. Ndaj nga unë dhe detarët e Shëngjinit ke urimet më të sinqerta në lundrimin tënd historik bashkë me detarët shqiptarë!

Kapiten Selim Allajbeu,

Ish -komandant i Bazës Ushtarako-Detare Shëngjin.

Shkrimtar dhe poet

Shëngjin, Nëntor 2014.

/përgatiti gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/