Tiranë, 21 mars 2014 – Vetëdorëzohet në polici biznesmeni kosovar Aziz Kelmendi, i dënuar për vrasjen nga pakujdesia të këngëtares Elsina Hidershaj, e njohur me emrin e artit Emmy.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, Kelmendi duhet të rikthehet sërish në qelitë e burgut, për të shlyer pjesën e dënimit prej 10 muaj e shtatë ditë burg, të cilat ia ka “borxh” drejtësisë.
Kelmendi qëndroi vetëm pak muaj në burg, pas ngjarjes së shkurtit 2011, kur këngëtarja 21-vjeçare humbi jetën. Fotoja e biznesmenit, bashkë me gjeneralitetet e tij, iu shtuan listës së të kërkuarve “Wanted” në faqen zyrtare të Interpolit në internet.
Ngjarja ku humbi jetën këngëtarja Elsina Hidershaj, për të cilën u fajësua Azis Kelmendi, u shënua më 28 shkurt 2011 pranë bar “Venue” në Tiranë. Pas një debati, këngëtarja u kap me duar në xhamin gjysmë të hapur të automjetit ku gjendej Kelmendi.





