Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar lidhur me arrestimin e dy policëve të Komisariatit të Rinasit.

Përmes një postimi në “Facebook”, ministri Balla shkruan se vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit teksa thotë se arrestimet e fundit të policëve çojnë në 14 rastet e goditura në 2 javët e fundit nga radhët policore.

“Vijon procesi i vetë-pastrimit në Policinë e Shtetit. Falë punës së Agjensisë së Mbikqyrjes Policore gjatë natës së mbrëmshme janë arrestuar dhe vendosur përpara përgjegjësisë penale dy inspektorë të Policisë Kufitare për veprime korruptive ndaj qytetarëve, duke i çuar në 14 rastet e goditura në dy javët e fundit në një proces vetëpastrimi i radhëve të Policisë, i cili do të jetë sistematik.

Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligj zbatuese në këtë drejtim është kritik, rritja e besimit dhe bashkëpunimi me qytetarët është busulla jonë orientuese për një Shqipëri më të sigurt dhe të qetë falë punës dhe përkushtimit të gardianëve të ndershëm dhe profesionistë të zbatimit të ligjit.

Falenderoj të gjithë ata qytetarë, si në rastin e dy kontrollorëve të kufirit, të cilët kanë raportuar apo ndarë me ne ankesat e tyre për veprime të dyshuara të paligjshme apo që bien ndesh me Ligjin dhe me Kodin Etik në Policinë e Shtetit”,-shkruan Balla.