Kreu i grupit kriminal, Kreshnik Farruku Budlla është vetëdorëzuar në Polici. Ai kërkohet nga autoritetet italiane pasi dyshohet për akuzën e “trafikut të drogës”. Farruku u vetëdorëzua mbrëmjen e së hënës në policinë e Durrësit, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Prokuroria e Breshias ka firmosur urdhërarrest për Farrukun duke ngritur dyshime se është kreu i një grupi kriminal që merrej me trafikim e lëndëve narkotike. Operacioni u zhvillua në Shqipëri dhe në Itali. Në vendin tonë hetimet u drejtuan nga SPAK.
Në dhjetor të 2024-ës, janë konfiskuar me vendim të Gjykatës së Posaçme 27 pasuri në pronësi të Kreshnik Farruku Budllës dhe Erneo Farrukut.
Vendimi për konfiskimin e tyre erdhi pas dyshimeve se këto pasuri janë përfituar nga aktivitete kriminale, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.