Zhaneta Josifi 56 vjeçe dhe e bija Anisa Josifi 30 vjeçe, do të përcillen ditën e sotme në banesën e fundit në Përmet, aty ku prehet dhe bashkëshorti i Zhanetës dhe babai i Anisës, prej 6 vitesh, i cili edhe ai vrau veten duke u hedhur nga pallati.

Historia e kësaj familje ka tronditur mbarë opinionin publik në lidhje me detajet shokuese. Anisa Josifi sipas motrës së saj Blerta, 34 vjeçe, kishte 15 muaj që kishte vdekur dhe familja po priste ringjalljen e saj, ndërsa nuk dihet ende se prej sa kohësh qëndronte e vdekur e ëma.

Blerta Josifi u gjet në gjendje të rëndë në banesën ku ndodheshin dhe dy trupat e pajetë. Ajo u dërgua thuajse në gjendje kome në spital për shkak të kequshqyerjes, por mundi të mbijetonte.

Ngjarja e rëndë u zbulua dy ditë më parë në Kombinat, ku Zhaneta së bashku me dy vajzat e saj besonin tek ringjallja dhe prandaj u vetëflijuan. Viktima Anisa Josifi mbahej në banesë duke u lyer me vaj dhe uthull në mënyrë që të mos ndihej era e trupit të dekompozuar.

Nënë e bijë u gjetën pa shenja jete në banesën e tyre, mbrëmjen e enjtes rreth orës 19:30, ndërsa policia u njoftua nga vëllai i Zhanetës, pasi motra e tij dhe dy mbesat nuk i përgjigjeshin në telefon dhe nuk i hapnin as derën.