Një adoleshent shqiptar që dyshohet se drejtonte një rrjet të shpërndarjes dhe trafikut të kokainës në Itali, është kapur në zonën e Rieti.

18-vjeçari ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme prej kohësh, i dyshuar se qëndronte pas një rrjeti të mirënjohur trafikimi kokaine në qendrën historike, i cili tërhiqte një klientelë të madhe, përfshirë shumë të rinj.

Bastisja u krye nga personeli i njësisë antidrogë të Policisë së Rietit ditën e djeshme, pranë ‘Piazza Cavour’. I riu u kap dhe u identifikua menjëherë, dhe më pas iu nënshtrua kontrolleve dhe hetimeve të mëtejshme.

Më pas, u krye një kontroll shtëpie brenda banesës së të dyshuarit, e cila ndodhet në qendrën historike të qytetit, jo shumë larg zonave të frekuentuara për trafik droge.

Brenda shtëpisë, oficerët gjetën sasi droge dhe parash, me shumë gjasa të fituara nga trafiku. E gjithë sasia e lëndëve narkotike dhe shuma e parave të gatshme të gjetura në posedim të tij u sekuestruan.

I riu u arrestua më pas dhe u vu në arrest shtëpiak. Ai do të akuzohet para autoriteteve gjyqësore të Rietit për posedim të narkotikëve me qëllim trafikimi. Hetime të mëtejshme janë duke u zhvilluar aktualisht nga hetuesi Marco Stamegna – për të gjurmuar rrjetin lokal të blerësve të shumtë, informon media.

Gjykatësi hetues, duke e konsideruar arrestimin të ligjshëm, vërtetoi masën paraprake, duke vendosur njëkohësisht ndalimin e tij për të banuar në të gjithë provincën e Rietit.