Edhe një sasi që konsiderohet “e moderuar” mund të jetë e rrezikshme për trurin. Një studim i fundit nga Universiteti i Sao Paulos tregon se konsumimi i vetëm 8 gotave alkool në javë – pak më shumë se një gotë në ditë – mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për dëmtime serioze në tru, humbje kujtese dhe zhvillim të Alzheimerit.

Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 1700 personave të vdekur, përfshirë dhe zakonet e tyre të konsumit të alkoolit. Rezultatet treguan se ata që pinin 8 ose më shumë pije në javë kishin 133% më shumë gjasa të zhvillonin dëmtime të trurit, të lidhura me arteriosklerozën hialine – një gjendje ku enët e gjakut ngurtësohen dhe pengojnë furnizimin e trurit me oksigjen.

Madje edhe pijetarët “e moderuar”, ata që konsumonin deri në 7 gota në javë, kishin një rrezik 60% më të lartë për këto dëmtime. Ish-pijetarët, edhe pas ndalimit të alkoolit, rezultuan me 89% më shumë gjasa për të zhvilluar probleme në tru. Studiuesit vunë re gjithashtu prani të lartë të proteinave “tau”, të lidhura me Alzheimerin.

Dëmet nuk ndalen te truri. Alkooli shoqërohet gjithashtu me rrezik për:

  • Kancer
  • Sëmundje të zemrës dhe të mëlçisë
  • Tension të lartë dhe goditje në tru
  • Helmim, aksidente dhe vetëvrasje

Sipas të dhënave, rreth 178,000 amerikanë humbin jetën çdo vit nga pasojat e alkoolit, ku shumica vdesin nga dëmet kronike që shkakton konsumimi afatgjatë.

“Pirja e tepërt ka një lidhje të drejtpërdrejtë me dëmtime të trurit që ndikojnë negativisht në kujtesë dhe aftësitë mendore,” thekson Dr. Alberto Justo, autori i studimit.

Specialistët këshillojnë reduktimin e konsumit dhe konsultimin me një mjek për të vlerësuar rrezikun individual.