Një skemë e financuar me 4.3 milionë paund nga qeveria britanike, që synonte të transferonte qindra kriminelë shqiptarë për të vuajtur dënimin në Shqipëri, ka dështuar. Deri tani, vetëm tetë të dënuar janë transferuar, ndërsa 1.200 të tjerë mbeten në burgjet britanike.
Marrëveshja mes dy qeverive ka hasur në burokraci dhe mbingarkesë në gjykatat shqiptare, që kërkojnë shqyrtimin e dënimeve britanike përpara se të pranojnë transferimin.
Të dënuarit e deportuar
Mes tetë shqiptarëve të deportuar, përfshihen kriminelë të dënuar për vrasje, trafik droge dhe përdhunim. Disa prej tyre janë:
• Klodjan Copja – drejtues i një rrjeti furnizimi me kokainë me vlerë 60 milionë paund.
• Erald Mema – shef bande droge, i dënuar me 25 vjet burg.
• Gentjan Dervishaj – organizator i trafikut të 11 milionë paund drogë.
• Rufat Kasamaj – i dënuar për përdhunim të një 15-vjeçareje.
Kostoja për Britaninë
Për çdo të deportuar, Britania ka shpenzuar rreth 537,500 paund, përfshirë përmirësimet në burgjet shqiptare dhe shpenzimet operative. Skema ishte planifikuar për të larguar të dënuarit shqiptarë me mbi katër vjet burg, por ajo ka hasur në pengesa dhe 59 kriminelë janë ende të bllokuar në burgjet britanike, në pritje të vendimeve nga gjykatat shqiptare.